
TIRANË- Pasi u vetëdorëzuan dje, motrat Antonela dhe Mariela Berisha kanë dalë sot në gjyq për t'u përballur me akuzat për dhunimin e Klea Prengas. Siç duket edhe nga pamjet e siguara nga "ZËRI", Antonela Berisha ndodhet në hollin e Gjykatës së Tiranës duke pritur nisjen e seancës ndaj saj dhe të motrës Marielës. Kjo e fundit, ndryshe nga Antonela që është në "detyrim paraqitje", është në masën e sigurisë "arrest me burg". Por edhe pse janë paraqitur sot në Gjykatën e Tiranës, seanca është shtyrë për ditën e nesërme. Duke qenë se Mariela ka një fëmijë të mitur, me shumë mundësi Gjykata do vendosë masa kufizuese, por do t'i ndryshojë masën e sigurisë.
Për çështjen sot ka reaguar edhe e dëmtuara, Klea Prenga, e cila ka hedhur poshtë pretendimet se mes palëve ka pasur "pajtim". Edhe njëherë ajo shprehet se kërkon drejtësi për dëmin që i është shkaktuar në fytyrë nga dy motrat.
"Përshëndetje, pas dy muajsh nga sulmi brutal që më është bërë, personat përgjegjës janë vetëdorëzuar. Disa media kanë spekuluar për një mundësi pajtimi mes nesh, por dua të jem shumë e qartë: nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjë pajtim. Unë kërkoj drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar. Nuk mund të ketë falje për një akt të tillë dhune. Shpresoj që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent, dhe që drejtësia të vihet në vend, duke më dhënë mua dhe familjes sime qetësinë që meriton çdo qytetar!,"-shkruan ajo në rrjetet e saj sociale.
Sipas ekspertizës, dëmi që i është shkaktuar të resë Klea Prenga hyn në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore. Në dokumentin e publikuar sot, ekspertiza vlerëson gjendjen emocionale të të lënduarës si jo të mirë duke theksuar se së fundmi ishte mbyllur në vetëvete dhe kishte kufizuar daljet në publik.
"Nuk i frekuenton më ambientet e dikurshme për shkak të kompleksit të krijuar nga pamja e jashtme. Po ashtu, se ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes,"-thuhet në ekspertizë. Kjo vepër penale për të cilën do të akuzohen tashmë motrat Berisha, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej dy (2) deri në dymbëdhjetë (12) vite heqje lirie.
Por cili ishte shkaku i përplasjes mes tyre?
Ngjarja dyshohet se ndodhi pasi motrat Berisha e akuzonin Klea Prengën se kishte ndërhyrë në raportin martesor të Marielës me biznesmenin Mir Pepa. Pasi zbuluan se kishte shkuar të konsumonte darkë në një nga restorantet e kryeqytetit, ato shkruan dhe e dhunuan fizikisht, e më pas u arratisën. Dëmin më të madh ia shkaktuan me një gotë qelqi duke i shënjuar plagë të rënda në fytyrë. Ndërkohë, Policia i kishte shpallur në kërkim motrat Berisha dhe për muaj të tërë nuk dihej vendndodhja e tyre, por kishte raportime se ndodheshin në Dubai./ZËRI