Aktualitet

Dhunuan Klea Prengën, vetëdorëzohen Antonela dhe Mariela Berisha

Të dy, motrat kanë shkuar vetë sot në Policinë e Shtetit për t'u përballur me drejtësinë.

k.m.
Dhunuan Klea Prengën, vetëdorëzohen Antonela dhe Mariela Berisha
Motrat Berisha dhe Klea Prenga

TIRANË- Pas disa muajsh në kërkim, vetëdorëzohen motrat, Antonela dhe Mariela Berisha. Të dy, motrat kanë shkuar vetë sot në Policinë e Shtetit për t'u përballur me drejtësinë. Prenga u dhunua më 9 gusht, e vetëm pak ditë më parë doli dhe ekspertiza mjekoligjore për dëmet që i janë shkaktuar të resë nga dy motrat.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:

Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit "Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore" ndaj shtetases A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Sipas ekspertizës, dëmi që i është shkaktuar të resë hyn në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore. Në dokumentin e publikuar sot, ekspertiza vlerëson gjendjen emocionale të të lënduarës si jo të mirë duke theksuar se së fundmi ishte mbyllur në vetëvete dhe kishte kufizuar daljet në publik.

"Nuk i frekuenton më ambientet e dikurshme për shkak të kompleksit të krijuar nga pamja e jashtme. Po ashtu, se ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes,"-thuhet në ekspertizë. Kjo vepër penale për të cilën do të akuzohen tashmë motrat Berisha, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej dy (2) deri në dymbëdhjetë (12) vite heqje lirie. 

Por cili ishte shkaku i përplasjes mes tyre?

Ngjarja dyshohet se ndodhi pasi motrat Berisha e akuzonin Klea Prengën se kishte ndërhyrë në raportin martesor të Marielës me biznesmenin Mir Pepa. Pasi zbuluan se kishte shkuar të konsumonte darkë në një nga restorantet e kryeqytetit, ato shkruan dhe e dhunuan fizikisht, e më pas u arratisën. Dëmin më të madh ia shkaktuan me një gotë qelqi duke i shënjuar plagë të rënda në fytyrë. Ndërkohë, Policia i kishte shpallur në kërkim motrat Berisha dhe për muaj të tërë nuk dihej vendndodhja e tyre, por kishte raportime se ndodheshin në Dubai./ZËRI

Poll

MOS HUMB