
TIRANË- Doktori i njohur Skerdilajd Faria, administratori dhe pronari i klinikës "Keit" është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Kjo pasi gjatë aksionit të djeshëm në klinikën e tij janë gjetur materiale kontrabandë (botoks), që injektoheshin tek klientet e biznesit të tij. Por nëse malli është sekuestruar, Faria nuk është gjetur në godinë. Burime për ZËRI bëjnë me dije se mjeku i njohur është aktualisht në Itali dhe është shpallur në kërkim policor.
Pas marrjes së informacionit, ZËRI tentoi disa herë që të komunikonte me Farian për të marrë një prononcim lidhur me akuzën që tashmë është ngritur ndaj tij, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Gjatë telefonatës me stafin e klinikës, punonjësit u shprehën se mjeku nuk ndodhej në ambientin e tij të punës.

Por edhe pse në kërkim policor, mjeku është ende aktiv në rrjetet e tij sociale. Vetëm pak orë më parë, para se të dilte lajmi për shpalljen e tij në kërkim, shpërndau informacione lidhur me një procedurë që kryhej në klinikën e tij. Që nga ai moment nuk ka dalë më me asnjë reagim lidhur me aksionin e Policisë.
Por kush është Skerdi Faria?
Mjeku, i cili ka studiuar në Itali, e më pas ka hapur ndër klinikat e para në Tiranë për ndërhyrje estetike është i njohur për publikun. Kjo më shumë për personazhet që ai ka trajtuar në klinikën e tij, por edhe për mënyrën sesi e ka shfaqur veten në rrjetet e tij sociale. Si në Instagram, ashtu edhe në TikTok, publikon gjithmonë video me nota humori duke përfshirë pacientët e tij, por edhe stafin. Kjo ka qenë një mënyrë për t'i bërë publicitet klinikës së tij me qendër në Tiranë. Por, në të gjitha videot e tij, produkti nuk ka qenë në fokus.
Dje “ZËRI”, bëri me dije operacioni u zhvillua në qendrat estestike apo parukeritë në të cilat realizohet dhe procedura e injektimit të botoksit. Në total, Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ushtruar kontroll në rreth 30 qendra estetike e parukeri në Tiranë, për mallra kontrabandë. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesa ku dyshohet se pronarët e këtyre qendrave mbanin stok mallin kontrabandë./ZËRI