Aktualitet

Kaosi me porositë online! Albanian Courier dhe Ultra mbajnë peng pakot, shtohen kostot për qytetarët

Prej më shumë se dy javësh, shumë qytetarë postojnë video në Tik Tok ku tregojnë se nuk kanë arritur të gjurmojnë porosinë që kanë bërë në Ali Express, të cilën dhe e kanë paguar, por nuk e kanë marrë, pavarësisht tejkalimit të çdo afati të paralajmëruar nga shitësi.

F.m
Kaosi me porositë online! Albanian Courier dhe Ultra mbajnë peng
Foto Ilustruese

TIRANË- Porositë nga E-Bay dhe Ali Express deri para nisjes së verës 2024 kanë qenë ekskluzivitet i Postës Shqiptare. I gjithë fluksi i porosive online në këto dy platforma, merrej dhe shpërndahej nga degët e Postës Shqiptare. Mirëpo, me nisjen e sezonin veror, ndoshta për shkak të fluksit, në lojë janë futur dhe dy postat private, Albanian Courier dhe Ultra.

Kjo gjë ka sjellë dhe një kaos në shpërndarjen e porosive. Prej më shumë se dy javësh, shumë qytetarë postojnë video në Tik Tok ku tregojnë se nuk kanë arritur të gjurmojnë porosinë që kanë bërë në Ali Express, të cilën dhe e kanë paguar, por nuk e kanë marrë, pavarësisht tejkalimit të çdo afati të paralajmëruar nga shitësi.

Edhe në JOQ Albania ka pasur denoncime të njëpasnjëshme në lidhje me këto blerje. Madje shqiptarët thonë se përveç vonesës së pakove, shërbimi tani është më i ngadaltë dhe tarifohen për magazinimin e pakove, për shembull 27$ për një pako me vlerë 20$ dhe taksat doganore nga shteti e kompania.

Denoncimi 1:

Pershendetje stafi JOQ. Dua tju informoj mbi nje fenomen qe ka ndodhur kohet e fundit me Posten Shqiptare dhe tregun e blerjeve online. Sic e dini, shume shqiptare blejne nga platforma AliExpress per cmimt e perballueshme, dhe me pare pakot vinin nepermjet Postes Shqiptare, nuk paguanim tarifa te larta. Tashme shperndarjen e ka marre ne dorezim nje kompani e quajtur United Transport/Albanian Courier. Mire qe i vonojne pakot, pra kane sherbimin me te ngadalte, por dhe nuk njoftojne kur kane ardhur, duke na tarifuar per magazinen, e me pas filloje me tarifa te tjera si taksa e deklarates doganore, dogana(ku na vjedh shteti me ligj), etj. Ka shume qe prej kesaj kompanie private kane hequr dore nga blerjet ne AliExpress e tani detyrohen te blejne ne dyqanet vendase, megjithese cmimet ketu jane katastrofe. Ju lutem beni dicka per ta publikuar kete shqetesim ne faqen tuaj.

Denoncimi 2:

Ju lutem shume. Pyesni dhe ndjeksat cfare mardhenie kane patur me Albanian Corrier sepse tani keta kane marre posten qe me perpara i kishte Posta Shqiptare. Por qe kur i kane marre keta nuk po na vijne pakot. Ata andej thone pakon e ke ne shqiperi. Keta nuk hapin as telefonin as pergjigjen. Ju lutem na ndihmoni sepse po na vonohen pakot qe i kemi per pune e sdime ku te ankohemi e ku te marrim pergjigje. Po te interesoheni pak me thelle besoj ka aferre sepse kane marre persiper te bejne nje pune qe skane as pika shperndarje. As mjetet e as njerzit. Nderkohe qe me posten shqiptare funksiononte ok sepse kane dhe pikat dhe njerezit Atehere me perpare kur blinim ne ali express apo ebay Ketu vinte pakoja dhe shperndaheshe nga posta shqiptare. Dhe porosite vinin rregullisht Ka disa muaj qe kete pune nuk e ben me posta shqiptare por e k marre albanian corrier. Qe atehere pakot kemi patur probleme me pakot. 1-2 jave qe rrine neper magazinat e ketyre. Nr e celularit qe kane ne faqe nuk pergjigjen. Futin faturime per 27$ pako 20$ fature. Nuk dime as ku te ankohemi as ku te pyesim. Pse duhet ti marre albanin corrier pakot e shqiptarve kur ska burimet njerezore qe te perballojne fluksin. Shumica e gjerave qe blej jane per pune sepse tregu ketu nuk i gjej dot. Kam pyetur te posta e kane marre albanian corrier me thane Fola me kete nr edhe keta thone qe ne magazine mund te kete mbi 20 mije pako qe presin. Te shperndahen. Deri ne momentin qe do ju vije rradha e pakos duhet te prisni. Ju lutem beheni pak problem se mendo sa njerez jemi qe presim pakot nga keta njerez qe marrin persiper te bejne dicka qe nuk e bejne dot.

Denoncime ka pasur dhe për Ultra Post. Një qytetar shkruan se porositë që ka bërë në AliExpress, 6 pako të ndryshme, kanë mbërritur në Shqipëri që më datë 3 tetor, por Ultra Post nuk bën shpërndarjen e tyre. Ai ka kontaktuar disa herë me postën në fjalë, por i është thënë se pakot janë bllokuar nga dogana, pa dhënë asnjë lloj detaji apo shkaku.

Denoncimi i qytetarit:

Mgjesi Ne lidhje me problemet me posten aliexpress qe po vonohen porosite. Porosite kane erdhur dhe shumicen e ketyre qe ska info e ka Ultra post Kontaktova dhe na thane qe i ka bllokuar dogana. Mbase duan te justifikohen nuk e kam idene. E mira eshte qe te informohen dhe te behet publike qe ta dine njerzit qe jane dhe te ata jo vetem te albanian corier Ketu kam 6 pako qe akoma nuk i km marre I kontaktova Dhe aty me dalin te gjitha porosite qe skam marre Na ka bllokuar dogana tha Ajo cupa Por nuk e di sa e vertete eshte Dmth nuk e ka vetem albanian corier shperndarjen por eshe posta te tjera qe sdihet kush i ka Nje nder keto eshte kjo Dhe kur kerkoj tracking nr te kjo poste me del qe ka hyre 6 pako kisha te keta Qe ne date 3-10.

Vlen të thuhet se kjo vonesë në shpërndarjen e porosive shton tarifat për blerësit shqiptarë pasi postat private i faturojnë ekstra edhe për magazinimin, pra mbajtjen e pakove në magazinat e tyre.

Vetë Albanian Courier deklaron se ajo ka dorëzuar me përpikmëri dhe pa vonesë të gjitha pakot postare në kohë të shpejtë, duke nënkuptuar se problemi nuk qëndron tek kjo kompani, por tek të tjerat.

“Duam të sigurojmë të gjithë klientët që kanë blerë në platformën e AliExpress, që dërgesat e mbërritura në Shqipëri nëpërmjet “Albanian Courier” që prej Korrikut 2024, janë procesuar me prioritet maksimal dhe shpërndahen në mbi 20 pika në Tirane dhe 50 të tjera në qytetet e tjera të Shqipërisë,” deklaroi kompania në një njoftim zyrtar.  

Ndërsa nga Ultra nuk ka pasur asnjë reagim.

Kapitali shkruan se Ultra C.E.P ka lënë prej javësh pa zhdoganuar një sasi të madhe pakosh online, ndërkohë që qytetarët nuk dinë ku të tërheqin produktet e blera.

United Transport është një kompani e themeluar në vitin 2007. Aksionerët e saj të maxhorancës, me mbi 85 për qind të aksioneve janë vëllezërit Leka, Edmond dhe Niko Leka, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohet nga disa aksionerë të vegjël. Në vitin 2019, shoqëria u bashkua me përthithje me Albanian Courier. Kompania administrohet nga Geri Piranjani.

Ndërsa Ultra C.E.P është një kompani e themeluar në mesin e vitit 2022, që zotërohet nga Alkido Burnazi dhe Nertila Cela.

ZËRI ka dërguar një kërkesë për informacion tek Posta Shqiptare, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë ende një përgjigje./ZËRI

Poll

MOS HUMB