ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Poli Boriçin, 52 vjeç, i dyshuar për tentativën e vrasjes së Ermir Kërtezit në një lokal në hyrje të qytetit.
Gjatë seancës gjyqësore, Boriçi ka mohuar se ka pasur qëllim ta vriste 50-vjeçarin, duke deklaruar se synonte vetëm ta frikësonte. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 12:40, në një lokal ku në atë moment kishte disa klientë.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Kërtezi ndodhej në ambientet e lokalit kur Boriçi, i cili ishte ulur aty së bashku me bashkëshorten, u ngrit dhe iu afrua me një armë zjarri. Ai dyshohet se ia drejtoi pistoletën në kokë, por arma nuk funksionoi.
Kërtezi reagoi menjëherë, duke e shtyrë 52 vjeçarin dhe u largua me shpejtësi nga lokali. Boriçi e ndoqi për disa metra, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes. Policia e lokalizoi dhe e arrestoi pak minuta më vonë. Arma e zjarrit e dyshuar se u përdor gjatë sulmit u sekuestrua si provë materiale.
Para hetuesve, Boriçi ka pretenduar se motivi lidhet me një konflikt të hershëm mes dy familjeve. Sipas tij, rreth 15 vite më parë Kërtezi kishte plagosur vëllanë e tij, duke i shkaktuar paralizë.
Nga ana tjetër, Kërtezi ka deklaruar se prej 15 vitesh jeton në të njëjtën lagje me Boriçin dhe se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë normale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur konfliktin e pretenduar të 15 viteve më parë, si dhe rrethanat që çuan në sulmin e së shtunës.
Njoftimi i Gjykatës së Elbasanit:
Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, në kuadër të transparencës dhe me qëllim mirëinformimin e publikut, në vlerësim të interesit të lartë publik, njofton mbi pёrfundimin e shqyrtimit gjyqёsor dhe vendimmarrjen lidhur me kёrkesёn e Prokurorisё pranё Gjykatёs sё Shkallёs sё Parё tё Juridkisionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, të përfaqësuar në seancë gjyqësore nga Prokurorja znj. Lorena Salillari, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Arrest në burg", të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe “Mbajtja pа leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit|”, parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal ndaj personit nën hetim P.B.
Sot, më datë 18.08.2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me trup gjykues Gjyqtaren, znj. Drenica Demiraj, në përfundim të gjykimit, bazuar në nenet 228, 229, 238, 251, 252, 254, 258 dhe 259 të ligjit nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”.
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë, të kryer nga policia gjyqësore ndaj personit nën hetim P.B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P.B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal.
4. Urdhërohet personi nën hetim P.B., të izolohet në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të qenë në dispozicion të organit procedues.
5. Të paguhet avokati i caktuar kryesisht sipas tarifave shtetërore.
6. Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore lihen siç janë bërë.
7. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe policia gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar të gjykatës Vendimi u shqiptua sot, në Elbasan, me datë 18.08.2026, ora 15:17. GJYKATA E SHKALLЁS SЁ PARЁ E JURIDIKSIONIT TЁ PЁRGJITHSHЁM ELBASAN./ZËRI