SARANDË-Marjo Katirai pronar i kompanisë 'Elite Security Grup' është shoqëruar në Polici pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes nga truproja i “Pronciopotes”, Sokrat Vata. Shoqërimi vjen pasi autori Sokrat Vata dhe efektivi i policisë Moisid Matushaj, i cili e ndihmoi 29-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes, punonin si bodyguard në të njëjtin grup të kompanisë "Elite Security", në lokalin “Principote”.
Truprojat e kësaj kompanie mbrëmjen e 16 gushtit ishin vendosur edhe në dyert e 'Orange Club' në Sarandë ku dhunuan shefin e krimeve Mateo Bakalli teksa ky i fundit përpiqej të shuante një konflikt të ndodhur. Me rreth dy vite në treg nuk dihet çfarë kriteresh ka “Elite Security” për të punësuar truproja, por me rastet e fundit, duket se ka dështuar në misionin e saj për mbrojten e pronës dhe ambienteve nga rreziqe të mundshme.