VLORË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Vlorë, ku një 70-vjeçar ka humbur jetën pas një incidenti në ambientet e një biznesi hidrosanitar. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për pronarin e aktivitetit, Ylli Shakaj.
Nga informacionet paraprake mësohet se 70-vjeçari ishte duke shkarkuar një kamion me panele të ndryshme, të cilat, në rrethana ende të paqarta, janë rrëzuar dhe e kanë zënë poshtë.
Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, ndërsa vijojnë operacionet për nxjerrjen e trupit të 70-vjeçarit, i cili ndodhet ende nën panelet. Ndërkohë, Policia ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:40, në lagjen “24 Maji”, në ambientet e jashtme të një subjekti, dyshohet se gjatë shkarkimit të një ngarkese me panele sanduiç, disa prej paneleve kanë rrëshqitur dhe kanë rënë mbi shtetasin Y. Sh., rreth 70 vjeç, pronari i subjektit.
Si pasojë, shtetasi Y. Sh. ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI