Aktualitet

E rëndë në Fier, 47-vjeçari i dënuar për tentativë vrasjeje dhunon barbarisht bashkëshortët e moshuar! 80-vjeçari në intubim

47-vjeçari kishte shkuar në dyqanin e të moshuarve për të blerë alkool.

k.m.
E rëndë në Fier, 47-vjeçari i dënuar për
Foto ilustruese

FIER- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier pasditen e sotme, ku një çift të moshuarish janë dhunuar nga Ilir Nukaj. 47-vjeçari kishte shkuar në dyqanin e të moshuarve për të blerë alkool. Por 80-vjeçari, pronari i biznesit, nuk ka pranuar që t'ja shesë pasi klienti njihej si një person problematik. Në shenjë hakmarrje, Nukaj i ka goditur dy të moshuarit Namik Rustemin dhe bashkëshorten e tij, 77-vjeç, me grushta. Si pasojë e dhunës së ushtruar, i moshuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i intubuar në spitalin rajonal të Fierit. Policia njofton se i moshuari rrezikon jetën, ndërsa e shoqja e tij është mjekuar dhe më pas është larguar për në banesën. Nukaj, i cili ka precedentë penalë për krime ndaj personit, e tani akuzohet për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje".

NJOFTIMI I PLOTË:

Fier

Dhunoi fizikisht 80 vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, kapet dhe vihet në pranga autori. 80-vjeçari si pasojë e dhunës ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan shtetasin I. N., 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, Fier, person me preçedent penal për krime ndaj personit. Në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit N.R, shtetasi I.N, për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës, shtetasin N.R, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe. Si pasojë e dhunës shtetasi N.R, ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa shtetasja A.R pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj. Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale ‘‘Plagosje e rëndë me dashje’’.

Por emri i Ilir Nukajt nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi 47-vjeçari ka qenë i akuzuar dhe i dënuar 12 vite më parë për tentativën e një vrasjeje me paramendim. Në vitin 2012, ai kishte shkuar për të vjedhur në lokalin internet-kafe të Helio Çelës, e cila ndodhej ngjitur me banesën e tij. Nukaj ka thyer derën e dyqanit, por pronari Helio Çela ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në oborrin e banesës së tij së bashku me të atin, Ferrik Çela. Në këtë moment, Nukaj ka tentuar t'i godasë me thikë, por babë e bir e neutralizuan. Por nuk u mbyll me kaq. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Nukaj ka shkuar sërish në qendrën e internetit, kësaj herë për të luajtur, e po ashtu sërish është përplasur me pronarin, të cilin e plagosi me thikë. Gjithashtu, ai ka qenë edhe subjekt i OLF-së. Disa vite më parë, Nukajt, i njohur edhe me emrin e tij të dytë, Ledian, i është kërkuar vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB