
FIER-Një aksion i papritur u zhvillua në zyrat e “Bankers Petroleum” në Fier, me praninë e policisë dhe Tatimeve, ku mësohet se janë arrestuar dy drejtues të kompanisë. Në pranga u vendos ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, si dhe drejtori aktual i përgjithshëm, Hongping Xiao. Kompani dyshohet se i ka një borxh shtetit shqiptar, konkretisht në lidhje me detyrime fiskale të papaguara. Por si i 'shpëtonte' taksave kompania e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës, Fier?
Sipas raportimeve mediatike, të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2006 e deri në fund të vitit 2023, kompania “Bankers Petroleum ka realizuar 4 miliardë euro të ardhura neto, pa përfshirë rentën minierare, nga shitja e naftës në Patos Marinzë.
Për të njëjtën periudhë, Boldnews shkruan se kompania që tani zotërohet nga kinezët, ka deklaruar rreth 800 milionë euro fitime neto. Por pavarësisht këtyre shifrave, kompania që la pas vitin e 20-të të shfrytëzimit të vendburimit të Patos-Marinzës, nuk ka paguar asnjë lek tatim mbi fitimin për buxhetin e shtetit.

Bankers Petroleum vijon të deklarojë se ende nuk ka rekuperuar plotësisht kostot për shfrytëzimin e vendburimit, edhe pse kompania ka arkëtuar lumenj parash nga shitja e naftës.
Ndërkohë më 1 Maj të këtij viti pati edhe një protestë të punonjësve, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, para zyrave qëndrore të Bankers Petroleum.
Ata i bënë një thirrje të drejtpërdrejtë shoqërisë Bankers dhe drejtuesit të saj Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve duke u ndalur në disa kërkesa kryesore si: ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime, ndalimin e nepotizmit dhe emërimeve klienteliste, aplikimin e statusit të naftëtarit, të dietës ushqimore etj.