
TIRANË-Dy muaj nga ngjarja tragjike ku u vra Martin Cani pranë shkollës së tij, qytetarët kanë dalë sërish në protestë. Prindërit e 14-vjeçarit, kërkojnë drejtësi, ndërsa shprehen se deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet.
“Heshtja vret më shumë se gjithçka. Kemi dy muaj që e përjetojmë këtë dramë të madhe dhe nuk kemi asnjë reagim, as nga prokurori as nga shkolla dhe as nga shëndetësia, sepse Martini bëri xhiron e madhe të Tiranës duke dërguar në spitalin ushtarak për arsye se spitali ushtarak nuk kishte asnjë makineri për ti mbajtur zemrën atij. U bëj thirrje fëmijëve shqiptarë, të bashkohemi për kauzën. Ka ardhur fundi. Fëmija është mbi të gjitha. Nuk kam fjalë. Po përjetojmë një ngjarje tragjike, kemi një traumë të madhe. I bëj thirrje prindërve, institucioneve…sepse na ka kapur frika. Njëherë më ka shkuar në Prokurori dhe prokurorja më tha që do ti shkojmë deri në fund. Por kanë kaluar dy muaj dhe asgjë”, tha babai i 14-vjeçarit.
Ndërkohë adoleshenti që mbeti i plagosur në ngjarjen ku u vra Martin Cani është shfaqur për herë të parë në protestë. Luis Meçe shihet krah prindërve të Martin Canit dhe qytetarëve të tjerë të pranishëm në protestë.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI