
TIRANË- Ervin Muça, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Tiranës. Muça i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS. Ish-drejtori i IT-së akuzohet për 'Hyrje të paautorizuar kompjuterike” në sistemin TIMS që rregjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit. Organi hetues ka veçuar çështjen dhe po e heton edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Tiranës thotë se të gjitha veprimet për kopjimin e të dhënave të TIMS, Ervin Muça i ka kryer gjatë orëve të natës, ndërsa ka urdhëruar edhe punonjësit për hapjen e portave USB. Po ashtu, në godinë janë futur persona të paautorizuar, që nuk kanë qenë pjesë e stafit të Policisë së Shtetitm dhe kanë asistuar për procesin e back up. Ky person- thotë organi i akuzës- ka përdorur shpeshherë për të hyrë dhe për të dalë nga godina pinin personal të një punonjësi që nuk ka qenë prezent.
Në njoftim thuhet se është vërtetuar se pajisja hard disk e sekuestruar ishte lidhur me kompjuterin e identifikuar dhe me serverat e sistemit, duke mundësuar eksportimin e të dhënave në një hard disk.
NJOFTIMI:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin E.M., aktualisht me masë sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ për veprën penale ‘Hyrje e paautorizuar kompjuterike’ parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore për çështjen penale nr.5404, datë 01.09.2023, rezultoi se: i pandehuri E.M., në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshem të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre. I pandehuri E.M., ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.
Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht. Lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin gjithashtu është regjistruar procedimi penal nr.5404/2023 është vendosur ndarja e çështjes.
Vetë Muça i ka mohuar akuzat e Prokurorisë ndaj tij, dhe pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale që cënon të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Madje ai thotë se i ka bërë backup sistemit, por jo se ka marrë të dhëna prej tij. Ndërhyrja në sistem ishte objekt i Komisionit hetimor të drejtuar nga Ervin Salianji, i cili në fjalën e tij para Kuvendit në përfundim të afatit të punimeve të Komisionit, u shpreh se Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për të qenë drejtor i departamentit të IT.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ZËRI