
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kërkua pafajësinë pasi ka dalë sërish në gjyq për të dëshmuar lidhur me akuzat që i janë ngritur për dosjen e “Sterilizimit”. Sipas tij, procesi në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk duhet të kishte nisur fare, me pretendimin se kjo dosje është shyrtuar njëhreë nga Prokuroria e Tiranës.
“Procedimi ndaj meje nuk duhet të kishte nisur, pasi i njëjti fakt penal është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo prokurori e ka pushuar çështjen,”- tha Beqaj në fjalën e tij. Ndërsa shtoi se lidhur me procesin aktual, nuk pajtohet me vendimet që ka marrë Gjykata, duke theksuar se është akuzuar me pa të drejtë.
Ilir Beqaj u shpreh se nuk pajtohet me asnjë prej vendimeve të marra nga gjykata dhe se është akuzuar pa të drejtë. Ndër të tjera ai pretendon se avokati i çështjes nuk është njohur me dosjen e tij. Gjithashtu është akuzuar edhe për avokatin kryesisht që i është caktuar nga gjykata, duke shtuar se ai ende nuk është njohur me dosjen e tij, ndaj e ka të pamundur që t'i bëjë mbrojtjen.
“Sa i takon komunikimit publik, kjo nuk është çështja e Sterilizimit, as kontratë e Sterilizimit dhe as koncesion i Sterilizimit. Kjo nuk përmendet as në titullin e kontratës. Sterilizimi është vetëm një nga 6 komponentët e kontratës. Kjo është çështje e instrumenteve kirurgjikale. E dyta, i referohen dosjes “Ilir Beqaj dhe të tjerët”. Unë jam i fundit në kërkesën e gjykatës. Pse duhet të thuhet “Ilir Beqaj dhe të tjerët”? Këta të tjerët i bie sikur janë këtu prej meje. Unë synoj pafajësinë dhe kjo është nominale.
Së treti, e kam për avokatin Maks Haxhia, si drejtues të Dhomës së Avokatisë. Avokati kryesisht i caktuar nga gjykata për dy javë tha se është i gatshëm për mbrojtjen, pa e lexuar dhe pa më takuar mua ndonjëherë. Unë i kam parë edhe komentet e Maks Haxhiajt për SPAK-un. Do të doja të informohem nga gjykata, kur ka ardhur avokati kryesisht të njihet me dosjen time? Vendimi i datës 23.1.25 përmban të dhëna dhe informacione të rreme. Procedimi ndaj meje nuk duhet të kishte nisur, pasi i njëjti fakt penal është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo prokurori e ka pushuar çështjen. Në vendimin e gjyqtares paraprake përmendet 15 herë neni i kodit penal, që flet për armëmbajtjen pa leje. Se ç’lidhje kam unë me këtë, nuk e di,”- u shpreh në fjalën e tij, ish-ministri.
Për shkak të largimit për arsye familjare të avokatit të Klodian Rjepajt, seanca u ndërpre dhe u shty për më 28 Maj.
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Sterilizimi”. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. SPAK ka përfunduar hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për çështje të cilën ndodhet në burg prej datës 4 korrik 2024./ZËRI