
TIRANË- Zbardhen detaje nga dosja hetimore për dhunimin e një punonjëseje të Operatorit Shpërndarës së Energjisë Elektrike (OSHEE), e cila identifikohet si Rubena Hasa. I pandehur për dhunimin e punonjëses së institucionit është marrë Spartak Cara, i afërmi i biznesmenit Ylli Cara.

Por si ka ndodhur ngjarja? Si dhe pse u dhunua punonjësja e OSHEE teksa kishte shkuar për të kontrolluar matësin, detyrë që ajo e bënte si çdo ditë...
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur më 25 prill të këtij viti, ku rreth orës 12.00 është marrë njoftimin se në spitalin e Traumës ishte shtruar Rubena Hasa, e cila kishte dëmtime të rënda në pjesën e fytyrës dhe të trupit. Atë ditë ajo kishte shkuar tek bar-kafe “Foleja 24 BS”, me vendndodhje midis rrugës “Artan Lenja” dhe rrugës “Studenti”, për të kontrolluar sahatin. Sipas dosjes së publikuar nga "VNA", në vendin e ngjarjes, u konstatuan dhe u shënuan si prova shishe birre të thyera dhe një vëth që i kishte rënë Hasës teksa dhunohej. Bashkë me vathin u gjetën edhe "mjetet e dhunës". Njolla gjaku, një shkop bejsbolli dhe dorezë e mbështjellë me natriban me ngjyrë të zezë.
Nga vendi i dhunës për në spital
Punonjësja e OSHEE-së është dërguar e vetme në spital...me një taksist! Punonjësi i një kompanie taksish në Tiranë tregon para Policisë se rreth orës 12.11 ka marrë një telefonatë për të shkuar në rrugën "Studenti", e aty një person me kapuç i ka futur në mjet një vajzë të dhunuar. Taksisti tregon se vajza ishte në gjendje të keqe dhe me sy të nxirë. Në këtë moment, personi me kapuç i ka dhënë vetëm një urdhër: Dërgoje në spital! Teksa shkonte për tek Trauma, e lënduara që kishte në makinë i kishte kërkuar vetëm diçka, që taksisti t'i njoftonte bashkëshortin.
"I.L., taksist, ka deklaruar se ka qenë në punë si zakonisht dhe rreth orës 12:11 minuta e ka telefonuar salla e kompanisë që të shkonte të merrte një klient në rrugën “Studenti”. Pasi ka vajtur, ka qëndruar rreth 10 minuta duke pritur dhe ka ritelfonuar sallën për të vënë në dijeni se nuk po paraqitej askush. Pas 2 minutash nga telefonata në sallë, papritur hapet dera e pasme e makinës, e krahut të djathtë, dhe ka konstatuar një djalë të veshur me kapuç, i cili ka futur në mjet një vajzë që ishte në gjendje të keqe, me sy të nxirë, duke krijuar idenë se ishte dhunuar. Personi që e futi në makinë i tha: “Dërgoje në spital” dhe mbylli derën. Është nisur menjëherë për Spitalin e Traumës dhe ndërkohë shtetasja e dëmtuar i kishte thënë me vështirësi që të lajmëronte bashkëshortin e saj."
Rrëfimi i të dhunuarës
Rubena Hasa, pasi merr veten në spital, tregon se më 25 prill ajo kishte shkuar për të lexuar matësin e energjisë elektrike në një lokal. Aty tregon se ishte futur brenda, por shton se nuk kishte parë asnjë njeri, derisa nga tualeti del një person që nuk i foli fare. Në këtë moment, ajo futet në tualet, lexon matësin dhe del. Por përballet me një tjetër person. Pikërisht në këtë moment zbulon se dy burrat kanë nisur që ta godasin me grushte dhe shkop bejsbolli deri në momentin që i ka rënë të fikët. Në rrëfimin e saj tregon është përmendur vetëm në taksi.
"Rubena Hasa, nga ambientet e Spitalit Universitar të Traumës, ka deklaruar se kishte rreth 9 muaj që punonte si lexuese e OSHEE në qendrën nr.1 në Laprakë dhe se më datë 25 prill 2025 rreth orës 09:00 ka shkuar për të lexuar matësin e energjisë elektrike që i përkiste me kontratë shtetasit S.S. Konkretisht ishte një lokal në rrugën “Artan Lenja”. Pasi ka mbërritur, ka pasur të veshur jelekun e punës me mbishkrimin OSHEE dhe në qafë kishte të varur dokumentin e dukshëm të punës, ku shkruheshin të dhënat personale dhe pozicioni i punës. Ka shpjeguar se lokali ishte dykatësh. Është futur brenda lokalit dhe ka thirrur: “A ka njeri këtu?”. Është ngjitur në katin e dytë nga shkallët e jashtme dhe ka parë se brenda nuk kishte njeri. Në atë moment nga banjoja ka dalë një djalë i ri rreth 33-35 vjeç, trup mesatar, i imët, i dobët, me flokë të zeza, i cili e ka parë dhe nuk i ka thënë asnjë fjalë, por ka vajtur te banaku i lokalit. Deklaruesja ka shpjeguar se është futur për të lexuar matësin në banjo dhe sapo ka mbaruar, ka dalë nga banjoja dhe është nisur për të dalë nga lokali. Ka konstatuar se dera e lokalit ishte e mbyllur, duke mos pasur mundësi të dilte dhe aty ka parë një tjetër djalë që ishte me personin e parë, rreth 35 vjeç, qeros, pak i mbushur, që i është drejtuar asaj duke i thënë: “Çfarë do ti te shtëpia ime?” Deklaruesja i është përgjigjur se ishte punonjëse e OSHEE-së dhe se kishte detyrë të kontrollonte sahatin e dritave, por ndërkohë dy personat kanë filluar ta godasin me grushte dhe me shkop nga trupi, duke e lënduar derisa i ka rënë të fikët. Deklaruesja thotë se është përmendur pak çaste dhe ka parë që ishte brenda një automjeti dhe drejtuesi i tij i kishte thënë se ishte në taksi dhe po e dërgonte në spital."
Nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë, Prokuroria e Tiranës ka mundur që të identifikojë vetëm Spartak Carën, i cili edhe pse akuzuar se ka dhunuar një punonjëse të shtetit, është lënë në "arrest shtëpie". Kjo sepse dëmtimet e Rubena Hasës janë klasifikuar se nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën. Kështu, vepra penale nga “plagosja e rëndë me dashje”, po hetohet për “plagosje e lehtë me dashje”. Vepra e parë penale, dënohet tre gjer në dhjetë vjet, ndërsa e dyta me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Në "mbrojtje" është edhe një dokument mjekësor, që "provon" se Cara ka varësi nga abuzimi me substanca. Për të vërtetuar këtë pretendim është dorëzuar një kopje të një dokumenti mjekësor të lëshuar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sipas të cilit rezulton se i dyshuari Spartak Cara ka qenë i shtruar në këtë spital në 2017 me diagnozë “çrregullim psikotik në terren të abuzimit me substanca”./ZËRI