
SHKODËR- Prekë Kodra është personi që ka nisur një përplasje sot mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. E gjitha për shkak se i shpallur në kërkim ka ndërtuar disa kabina pushimi për turistët në Theth të Shkodrës. Sot, në kuadër të aksionit që ka ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike, Rama ndau pamjet e "viletave", duke kontestuar vendimin e marrë nga Prokuroria për mos fillim të hetimeve.
ZËRI zbuloi sot pasdite se personi që ka në pronësi këto kabina është Prekë Kodra, i njëjti person që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, raportohej se kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Por kjo nuk do të ishte "dalja" e fundit për të! Ai akuzohet edhe për dy ngjarje të tjera kriminale në vendin tonë, madje është i shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të dosjes "Metamorfoza".
48-vjeçari nga Malësia e Madhe, disa vite më parë dyshohej se ishte pjesë e një plani për vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti të UÇK-së me emrin Ismet Haxha. Sipas dokumentit të Njësisë Kundër Terrorizmit, roli i Prekë Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Ai përshkruhej si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit të llojit "snajper". Asokohe, pas publikimit të lajmit, në media foli vetë Kodra, i cili mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.
“Ç'ka me shpjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme. Për herë të parë e kam marrë paradite rreth orës 11:00, kam qenë në Shkoder në kafe dhe më ttherret dikush nga Gjermania dhe më thotë a je duke i shiku lajmet, dhe kur e pash atë gjë që unë se kisha imagjinu kurrë në jetën teme,"- tha Kodra asokohe.
Emri i tij doli edhe në përgjimet "SkyECC" ku u zbuluan lidhjet e grupit "Bajri' me biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë ish-shefin e operacionales Oltion Bistri e ish-prokurorin Xhevahir Lita. Nga dosja u zbulua se ky personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje. Emri i tij ka dalë tek dosja e vrasjes së Kastriot Reçit, ngjarje kjo e ndodhur në Rrëshen në datën 7 janar 2020. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës, Prek Kodra, nga viti 2020 ka qënë person i dyshuar si autor i mundshëm i ngjarjes. Por për shkak se nuk gjendej në Shqipëri, marja e një analize AND-je nga policia ka qënë e pamundur. Në korrik të vitit 2022, kur Kodra erdhi në Shqipëri, u shoqërua nga Policia dhe nga testimi i profilit të ADN-së së Kodrës me profilin e ADN-së të sekuestruar në banesën nga u qëllua me snajper Kastriot Reçi, nuk u gjenden të dhëna përputhshmërie.
Në Elbasan, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Në nëntor të vitit të shkuar, nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar u zbulua se Prekë Kodra do të kryente një vrasje për llogari të fisit Bajri, ose të paktën kështu kishte në plan! Por ndërhyrja e Suel Çelës e bëri që të ndryshonte mendim. Më pas, do të ishte Suel Çela që po e kontraktonte për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Përgjatë gjithë komunikimeve të dosjes, Prekë Kodra ndyrshohet me pseudonimet "gjahtari", "gjuetari", dhe "mjeshtri". Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme dëshmohej i gjithë plani për vrasjen, madje edhe vendi. Gjuajtja u bë nga kodra përballë shtëpisë dhe po në dosje, rivalët shkruanin se "xhindi" u kishte shpëtuar për 1 mm, pasi aq larg e kishte pasur plumbin nga zemra. Për këtë ngjarje dhe të tjera, Kodra është shpallur në kërkim, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij. E vetmja gjurmë ishin kabinat e tij në mal, që sot u sheshuan nga Bashkia Shkodër./ZËRI