Aktualitet

"Paratë i mora borxh"/ Dëshmia e "pronares" së kabinave në Theth: Shita 300 krerë bagëti, ngrita kapanonet

Në rrëfimin që ajo ka bërë në Prokurorinë e Shkodrës, deklaron se kabinat i ka ngritur vetë, duke marrë para borxh nga të afërmit e saj.

k.m.
"Paratë i mora borxh"/ Dëshmia e "pronares"
Foto ilustruese

TIRANË- Lene Prroni është zonja, e cila raportohet se është pronare e tokës ku Prekë Kodra kishte ngritur 10 kabinat e tij. Në rrëfimin që ajo ka bërë në Prokurorinë e Shkodrës, deklaron se kabinat i ka ngritur vetë, duke marrë para borxh nga të afërmit e saj. Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje nga rrëfimi i saj. Sipas saj, zonja Prroni, ka deklaruar se kabinat i ka ngritur pa leje sepse objektet nuk kanë themel dhe nuk ka pasur nevojë për "aprovim" nga instancat për të ngritur kështu biznesin e saj.

"Kapanonet e gjetura janë të vendosura ne pronën time, është një pronë që e kam të trashëguar nga paraardhësit e mi. Deklaroj se jam interesuar pranë Bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por më thanë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh. Dhe unë nuk kam dokumente pronësie, por e kam të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu deklaroj se në dijeninë time, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i kam marrë borxh, tek të afërmit e mi, për të ndërtuar këta kapanone. Kam patur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qenë se nuk kisha çoban për t'u kujdesur për to, i shita të gjitha,"-mësohet se ka thënë Lene Prroni.

Por në fakt, pronari i vërtetë i këtyre kabinave është Prekë Kodra, i cili është shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB