KORÇË- Një 47-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi akuzohet për shantazh dhe mashtrim ndaj disa shtetasve grekë, nga të cilët dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash. Sipas bluve të Korçës, Kristi Joga dyshohet se i ka marrë 4 mijë euro një shtetasi grek duke e kërcënuar për rreth 3 vjet.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka përdorur të njëjtën skemë edhe ndaj shtetasve të tjerë grekë, duke përfituar shuma që variojnë nga 30 mijë deri në 40 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Blackmail”. Operacioni, rezultat i 4 muajve hetime me metoda proaktive.
I mori 4000 euro një shtetasi grek, duke e shantazhuar për rreth 3 vjet, se do t’i publikonte biseda dhe foto intime, vihet në pranga 47-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, si rezultat i hetimeve të kryera për një periudhë 4-mujore, me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Blackmail”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. J., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J., për një periudhë rreth 3-vjeçare, nëpërmjet shantazhit për publikimin e bisedave dhe fotove intime, ka përfituar rreth 4000 euro, nga një shtetas grek. Gjithashtu, shtetasi K. J. dyshohet se me të njejtin mekanizëm, ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë grekë, shuma të konsiderueshme parash, që variojnë nga 30 000 – 40 000 euro.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.