TIRANË- Prej 4 ditësh, Tirana është përfshirë nga protestat e studentëve, të shoqëruara me tensione dhe përplasje me policinë. Pamje të shumta, me episode të dhunës ndaj protestuesve, janë publikuar gjerësisht në rrjete sociale, duke nxitur reagime të forta dhe thirrje edhe për përgjegjësi penale.
Lidhur me këtë situatë, një grup avokatësh është bashkuar për të përgatitur kallëzime penale për rastet e dhunës ndaj protestuesve.
Avokati Dorjan Metlia u ka bërë thirrje kolegëve të tij, juristëve, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë personave që kanë njohuri juridike, të angazhohen për dokumentimin dhe denoncimin e rasteve të dhunës të evidentuara në pamjet që qarkullojnë në internet. Sipas tij, kallëzimet do të arrijnë t'u japin mesazhin efektivëve se do të përballen me ligjin një ditë.
"Bej nje thirrje per te gjithe avokatet, juristet, organizatat e shoqerise civile, e kushdo tjeter qe ka njohuri per kete pune, qe nese hasin ne internet pamje video ku te rinjte dhunohen nga policia, edhe pasi jane neutralizuar, apo cdo shkelje tjeter qe ngarkohet me pergjegjesi penale, te hartojne dhe pse jo, edhe te nenshkruajne vete, kallezimet penale per keto episode. Une kam nisur ta bej nje gje te tille. Ju lutem sa me shume kallezime. Sikur edhe nje apo dy kallezime te bejme secili, arrijme t'u japim mesazhin te gjithe efektiveve ne terren qe jo vetem jane duke u vezhguar e filmuar nga mediat, por edhe do perballen me ligjin nje dite. Dhe ajo dite nuk do jete larg. Nese ata marrin garanci nga "lart", ta dine qe edhe ne "poshte" nuk hame bar. Jane femijet tane ata qe po rrihen nga kriminele qe meritojne burgun. Dhe burgu nuk vjen vete po nuk beme kallezime. Le t'i futemi punes.", shkruan Metlia.
Në një tjetër postim, avokati ka bërë të ditur se deri tani janë depozituar dy kallëzime penale, bazuar në dy video që kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale dhe ku shfaqen efektivë policie duke dhunuar protestues.
Ndërkohë, për rastet e dhunës gjatë protestave ka reaguar edhe Policia e Shtetit, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të cilët kanë bërë të ditur se ndaj dy efektivëve janë marrë masa disiplinore.
Nisma e avokatëve e vjen në një moment, kur videot e dhunës po përhapen gjerësisht dhe kërkohet përgjegjësi, ndërkohë që mbetet për t'u parë nëse rastet e denoncuara do të çojnë deri te gjykimi ligjor për përgjegjësit. /ZËRI

