TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e Ergys Agasit, ku në kërkim nga Prokuroria e Tiranës është shpallur edhe djali i xhaxhait i biznesmenit Eno Agasi. Çështja ka të bëjë me një kantinë vere, ku ndodhej koleksioni shumëvjeçar “Petrvs Pomedol” i cili u zbulua nga agjentët e BKH-së në vilën e Agasit, por shishet e verës të lëna në ruajtje për t'u sekuestruar nuk u gjetën më.
Hetimet tregojnë se gjatë natës, Eno Agasi ka larguar sasinë e verës nga kantina dhe më pas ka hequr edhe serverin e kamerave të sigurisë. Kur furgonët e Doganave janë rikthyer për të marrë mallin dhe për ta dërguar në ruajtje, kanë konstatuar se vera nuk ndodhej më në kantinë.
Teksa Eno Agasi akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim të paligjshëm të tyre, një hetim ka nisur edhe për përgjegjësit e doganave.
Strukturat doganore kryen inventarizimin për disa orë dhe përllogaritën një dëm prej rreth 400 milionë lekësh në buxhetin e shtetit, si pasojë e mospagimit të akcizës. Për shkak se kontrolli u zhvillua gjatë natës dhe transporti nuk mund të realizohej, malli u la përkohësisht në ruajtje në ambientet e vilës. Në këto kushte në shqyrtim është edhe përgjegjësia e mundshme e strukturave doganore që e kishin lënë mallin në ruajtje në objekt, në vend që ta sekuestronin dhe transportonin menjëherë./ZËRI