Aktualitet

Bordi i Transparencës vendosi çmimet tavan të karburanteve, Konfindustria: Masë e vonuar, të ulet edhe barra fiskale

Përmes një reagimi zyrtar, organizata e cilëson këtë ndërhyrje si të domosdoshme, por të vonuar, pasi shtetet e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme.

zh.ll
Bordi i Transparencës vendosi çmimet tavan të karburanteve,
Foto ilustruese

TIRANË- Konfindustria ka reaguar pas vendimit të Bordit të Transparencës për uljen çmimeve tavan të karburanteve në vend pas rritjes si shkak i konfliktit në Lindjen e Mesme. Përmes një reagimi zyrtar, organizata e cilëson këtë ndërhyrje si të domosdoshme, por të vonuar, pasi shtetet e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme.

Konfindustria i kërkon qeverisë masa shtesë, përfshirë uljen e barrës fiskale mbi karburantet, krijimin e një Enti Rregullator të Karburanteve, parandalimin e kartelizimit dhe ndërtimin e një rafinerie për të përpunuar naftën shqiptare.

Njoftimi i plotë

Konfindustria mbështet vendimin e sotëm të ekzekutivit nëpërmjet Bordit të Trasparencës për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregëtinë me shumicë dhe pakicë.

Sa më sipër përbën ndërhyrjen e parë dhe mjaft të vonuar të qeverisë shqiptare në tregun e karburanteve në kushtet e jashtëzakonshme të krizës. Të gjitha shtete e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme për zbutjen e pasojave të luftës së Gjirit Persik.

Çmimet e vendosura të produkteve të karburanteve janë mbi 8% më të ulëta, që tregon qartësisht për hapësirat e gjera të spekullimeve nga operatorët e tregut dhe domosdoshmërinë e ndjekjes së vazhdueshme të mbikqyrjes së tregut strategjik të karburanteve.

Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që në të njejtën kohë me mbikqyrjen nëpërmjet Bordit të Trasparencës për parandalimin e spekullimeve në tregun e karburanteve në kushtet e sotme të jashtëzakonshme botërore, të vlerësojë me shpejtësi si më poshtë:

1- Uljen e përgjithshme të barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të makinave deri në nivelet të mesatares së shteteve të rajonit

2- Krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikqyrës

3- Rishikimin e ndërtimit të sotëm në dretimin vertikal dhe horizontal të tregut të karburanteve me shfaqje të qarta të tipit kartel dhe oligopol në porte, tregëti me shumicë dhe pakicë

4- Ndërtimin e rafinerisë për të përpunuar naftën shqiptare për të plotësuar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.

Bordi i Transparencës zhvilloi dje mbledhjen e parë lidhur me çmimet e karaburanteve në vend që kanë njohur një rritje të ndjeshme për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Bordi vendosi uljen e çmimeve të karburanteve. Që nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës për 1 litër pësoi rritje me 41 lekë duke u tregtuar nga 214 deri në 217 lekë. Me çmimin tavan të përcaktuar nga Bordi, ulja që ka pësuar nafta në tregun me pakicë është deri në 14 lekë./ZËRI

Poll

MOS HUMB