ELBASAN- Reshjet e dëborës janë rikthyer në disa zona malore të vendit, duke sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave.
Visualizza questo post su Instagram
Në qarkun e Elbasanit, dëbora ka përfshirë kryesisht Gjinarin dhe Zavalinën, ku reshjet janë mesatare. Ndërkohë, situata paraqitet më e rënduar në zonat malore të Librazhdit, ku në fshatrat Steblevë dhe Qarrishtë reshjet janë më intensive dhe kanë nisur të mbulojnë territorin me shtresa dëbore.
Gjithashtu, gjatë natës, qarku i Kukësit është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu dhe dëbore, duke sjellë rikthimin e kushteve dimërore në disa zona. Në zonat mbi 900 metra, dëbora ka zbardhur disa fshatra në Arrën, Bushtricë, Grykë-Çajë, Topojanë, Zapot, Shishtavec, si dhe në Lekbibaj dhe Luginën e Valbonës.
Trashësia nuk ka kaluar 5 cm, pa krijuar probleme në qarkullim. Si pasojë e shiut, në disa akse si Kukës–Qafë Mali dhe Kukës–Tropojë ka pasur rënie gurësh, por rrugët mbeten të kalueshme. Firmat mirëmbajtëse po punojnë në terren për pastrimin e tyre.
Reshjet e dëborës kanë prekur edhe qarkun juglindor, në lartësitë mbi 1100–1200 metra në zonat përreth Korçës dhe Pogradecit. Në disa segmente si Qafë Thanë dhe Dardhë, shtresa e borës ka qenë më e konsiderueshme, por për shkak të temperaturave pranverore, dëbora ka nisur të shkrijë. Kjo situatë ka bërë që autoritetet të ndërhyjnë për pastrimin e akseve kryesore rrugore, veçanërisht në segmentet ku dëbora ka qenë më e dendur.
Në qarkun e Dibrës, në lartësitë mbi 300 metra dëbora ka përfshirë Bulqizën dhe fshatrat përreth. Në zonat mbi 600 metra mbi nivelin e detit, prezencë dëbore është raportuar edhe në fshatrat e thella të njësive administrative Trebisht, Ostren, Fushë Bulqizë dhe Martanesh.
Trashësia e dëborës po shkakton vështirësi në qarkullim, veçanërisht në akset pranë minierave të Martaneshit, Zonës D dhe Tërnovës. Reshjet mund të ndikojnë edhe në bujqësi dhe frutikulturë, duke rrezikuar pemët frutorë dhe kulturat e hershme pranverore nëse vijojnë temperaturat e ulëta. Ndërkohë reshje në në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit ka pasur edhe ne Peshkopi dhe Mat kryesisht në zonat malore.
Reshje dëborë me intensitet të lartë raportohen edhe në zonën e Llogarasë, sipas kontraktorit të mirëmbajtjes së rrugës. Për shkak të kushteve të përkeqësuara, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin tunelin si alternativë. Ata që zgjedhin rrugën e Llogarasë duhet të jenë të pajisur me zinxhirë.
Shkodra gjithashtu është përfshirë nga reshje dëborë intensive. Gjatë natës, akset Dedaj–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë përfshirë nga reshje bore me intensitet të lartë. Në Qafë Thore, shtresa e borës ka kaluar 40 cm, por punonjësit kanë punuar pa ndërprerje për të siguruar qarkullimin e mjeteve.
Rikthimi i reshjeve të dëborës ka ndikuar në uljen e temperaturave./ZËRI