Aktualitet

'Bomba' mjedisore/ Mbetjet në inceneratorin e Elbasanit vijojnë të digjen prej 2 ditësh, tymi 'helmon' qytetarët

 Përveç tymit qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth.

F.I
'Bomba' mjedisore/ Mbetjet në inceneratorin e Elbasanit
PAMJE NGA VENDNGJARJA

ELBASAN-Landfilli i mbetjeve në inceneratorin jofunksional të Elbasanit vijon të digjet prej ditës së martë (1 korrik). Vatra e zjarrit është aktive edhe sot, ndërsa shtëllunga të dendura tymi kanë pushtuar vendin.

Tymi toksik i shkaktuar nga djegia e plehrave në landfill ka shkaktuar ndotjen të madhe ne Elbasan duke helmuar banorët dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Përveç tymit qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth.

Edhe pse kanë shkuar zjarrfikëse nga Elbasani Kamza, Tirana dhe Berati, zjarri ka djegur grumbullin e madh të mbeturinave të 7 bashkive. Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin mbi rrethanat e ngjarjes.

Prej vitesh, situata në këtë landfill është problematike dhe plehrave shpesh u vihet flaka. Inceneratori i Elbasanit është jashtë funksionit, ndërsa rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit në këtë fushë, nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.

Lidhur me landfillin, në mars të këtij viti, disa persona u morën në pyetje për inceneratorin e Elbasanit. Nga Prokuroria e Elbasanit u shoqëruan për t'u marrë në pyetje 4 zyrtarë të kompanisë "Eco Elb". Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania "Eco Elb" u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”./ZËRI

Poll

MOS HUMB