
TIRANË-Biznesmenia Vilma Nushi dhe ish-kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi Albana Vokshi e paditur për shpifje, nuk u pajtuan në seancën e parë në Gjykatën e Posaçme. Vokshi tha se asnjëra prej palëve nuk ra dakord për pajtim, ndërsa paralajmëroi se do t’i shkojë deri në fund skandaleve të koncesionit të Check-upit dhe sterilizimit. Ende nuk ka një vendim në lidhje me seancën gjyqësore.
'Asnjë nga palët nuk pranoi të pajtohet, pra kaloi në seancë shqyrtimi. Seanca e radhës u la për 13 mars ora 9. Meqë Vilma Nushi nuk mbylli as gojën time, as të opozitës, por në formë shantazhi më ka paditur pas letrave publike dhe investon GJKKO, sigurisht siç isha në herën e kaluar do jem në çdo seancë për të prezantuar të gjitha faktet që unë i kam prezantuar edhe në komisionin hetimor. Nuk mund të pranoj dhe do vazhdojë të denoncoj në të gjitha hapësirat e mia çdo abuzim, korrupsion dhe sidomos kur kanë të bëjnë me jëtën e qytetarëve. Vilma Nushi e ka financuar Edi Ramën për të marrë pushtetin dhe Ramna i dha koncesionin e check up dhe pas këtij koncesioni i dha me dhjetëra tendera të tjerë', u shpreh Vokshi.
Padia për shpifje e Nushit është ngritur pas deklaratave që Vokshi bëri si kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë lidhur me dosjen e “Check-up-it”. Opozita e ka akuzuar biznesmenen Nushin, në cilësinë e pronares së dy kompanive, e cila është pjesë e koncesionit të Check Up, se ka përfituar 1.5 milionë euro.
“Konkretisht, anëtaret e opozitës ne Komisionin Hetimor kanë kërkuar që në mbledhjen e parë të këtij Komisioni që pjesë e listës së dëshmitarëve të jetë edhe znj. Vilma NUSHI, në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni. Deputetët e opozitës e konsiderojnë rolin e znj Vilma Nushi e cila është përfituese indirekte dhe direkte (ka përfituar rreth 1.5 mln Euro nga dividenti).”, u shprehën anëtarët e PD në komisionin Hetimor për Sterilizimin më 13 nëntor 2024.
Vilma Nushi përmes kompanive të saj ka fituar koncesionin e 'Check Up' që po hetohet nga SPAK.