KUKËS– Reshjet e shiut kanë përfshirë qarkun e Kukësit, duke i dhënë fund valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit. Shirat, të shoqëruar me erëra me intensitet mesatar dhe shkarkesa elektrike, kanë prekur disa zona të qarkut, ndërsa deri më tani nuk raportohet për probleme apo dëme të shkaktuara nga moti i paqëndrueshëm.
Ndërkohë, moti i keq ka prekur edhe Kosovën, ku stuhitë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe në sektorin e bujqësisë.
Pas Shkupit, stuhi të fuqishme janë regjistruar edhe në Kosovë, ku zona e Suharekës është përfshirë nga erërat e forta dhe reshjet intensive.
Një stuhi ka goditur fshatin Vrasniq të komunës së Suharekës, duke shkaktuar dëme në prona private dhe biznese. Shtrëngatat kanë rrëzuar dhe thyer pemë në disa zona, ndërsa banorët kanë raportuar se era e fortë ka dëmtuar edhe koshere bletësh.
Pamjet nga zona tregojnë gjithashtu gjendje shqetësuese të lumit, i cili duket i ndotur rëndë, duke ngritur dyshime për shkarkime mbetjesh dhe dëmtim të mundshëm të ekosistemit./ZËRI
