SHKUP/SUHAREKË– Moti i keq ka goditur disa zona të rajonit, ku stuhitë e forta kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, rrëzim pemësh dhe probleme me qarkullimin.
Në orët e para të mbrëmjes, një stuhi e fuqishme ka përfshirë Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e erërave të forta, shumë pemë dhe semaforë janë rrëzuar, ndërsa çatitë e disa banesave janë dëmtuar ose janë marrë nga era, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Pemët e rrëzuara kanë penguar qarkullimin rrugor në disa zona të qytetit, ndërsa në shumë lagje janë regjistruar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se Qendra e Krizave e Qytetit të Shkupit, së bashku me njësitë kompetente dhe institucionet publike, është mobilizuar dhe ndodhet në gatishmëri për të ndërhyrë në zonat e prekura.
Pas Shkupit, stuhi të fuqishme janë regjistruar edhe në Kosovë, ku zona e Suharekës është përfshirë nga erërat e forta dhe reshjet intensive.
Një stuhi ka goditur fshatin Vrasniq të komunës së Suharekës, duke shkaktuar dëme në prona private dhe biznese. Shtrëngatat kanë rrëzuar dhe thyer pemë në disa zona, ndërsa banorët kanë raportuar se era e fortë ka dëmtuar edhe koshere bletësh.
Pamjet nga zona tregojnë gjithashtu gjendje shqetësuese të lumit, i cili duket i ndotur rëndë, duke ngritur dyshime për shkarkime mbetjesh dhe dëmtim të mundshëm të ekosistemit.
Deri më tani, nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo persona të lënduar nga stuhitë, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë punën për evidentimin dhe riparimin e dëmeve./ZËRI