SHBA-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur një tarifë prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja. Tarifat e reja prekin një sërë produktesh të konsumit të përditshëm, përfshirë verën dhe pajisje sportive, si dhe mallra industriale, ndërsa disa eksporte të rëndësishme kanadeze, si energjia, potasi, mineralet kritike dhe peshku, do të përjashtohen nga masat e reja.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, tarifat do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditësh dhe do të prekin mallra kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme.
“Në çdo rrethanë, Kanadaja do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të forcuar ekonominë tonë dhe për të mbështetur punëtorët, fermerët, bizneset dhe familjet kanadeze”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kryeministri i provincës së Ontarios, Doug Ford, bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme ndaj masave amerikane.
“Nëse këto tarifa mbeten në fuqi, Kanadaja duhet të përgjigjet me tarifë për tarifë, dollar për dollar”, shkroi ai në platformën X.
Tarifat kanë qenë një nga instrumentet kryesore të politikës ekonomike të Trump, të përdorura për të ushtruar presion ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së.
Tarifat e reja i bashkohen barrierave tregtare që tashmë janë në fuqi. SHBA-ja aplikon tarifa që variojnë nga 15% deri në 50% për çelikun, aluminin dhe bakrin kanadez, ndërsa për lëndën drusore të butë kanadeze zbatohet një tarifë prej 35%. Në sektorin e automobilave, Uashingtoni ka vendosur gjithashtu një tarifë prej 25% për pjesët e prodhuara jashtë SHBA-së.
Nga ana tjetër, Kanadaja ka vendosur një tarifë kundërpërgjigëse prej 25% për disa importe amerikane, përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet.
Një tjetër pikë e debatit mes dy vendeve është sektori i produkteve të qumështit. Administrata Trump ka kritikuar prej kohësh sistemin kanadez të menaxhimit të furnizimit, i cili kufizon importet e huaja dhe vendos tarifa të larta për sasitë që tejkalojnë kuotat e përcaktuara. Edhe bojkotimi i pijeve alkoolike amerikane në disa provinca kanadeze është kthyer në një çështje të rëndësishme në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.