Ballkani pritet të përballet me një valë të fortë moti të keq, e konsideruar si një nga episodet më intensive të kësaj vere. Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka ngritur alarmin në Nivelin 3 për disa vende të rajonit, duke paralajmëruar zhvillimin e stuhive të fuqishme nga dita e martë deri në orët e para të së mërkurës.
Sipas parashikimeve, në rrezikun më të lartë ndodhen jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova. Ndërkohë, Shqipëria është përfshirë në Nivelin 1 të alarmit, ku priten fenomene të ngjashme, por me intensitet më të ulët dhe në zona më të kufizuara.
Ekspertët paralajmërojnë se kushtet atmosferike favorizojnë krijimin e stuhive të organizuara, të cilat mund të përhapen nga Italia drejt Evropës Juglindore. Parashikohen superqeliza të fuqishme, të afta të prodhojnë breshër me përmasa të mëdha, erëra shkatërruese dhe, në raste të veçanta, edhe tornado.
Për Ballkanin Perëndimor, ku përfshihen Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia jugore dhe Shqipëria, ekzistojnë kushte të favorshme për zhvillimin e stuhive të forta. Analizat tregojnë se sistemet stuhore që mund të formohen mbi Itali kanë gjasa të kalojnë Adriatikun, duke sjellë reshje intensive, erëra shumë të forta dhe breshër të madh.
Sipas parashikimeve, moti i paqëndrueshëm mund të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, me disa episode të njëpasnjëshme stuhish.
Ndërkohë, niveli 2 i alarmit është vendosur për disa zona të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, ndërsa pjesë të tjera të Evropës janë përfshirë në Nivelin 1. Autoritetet dhe qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi fenomenet e pritshme mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme./ZËRI