
TIRANË- Mediat italiane e quajnë një dështim të qeverisë së tyre, vonesën për hapjen e qendrave të emigrantëve në Shëngjin, për të cilat thuhet se janë paguar miliona euro. Edhe pse ministria e brendshme nuk ka ende një datë se kur ato do të jenë funksionale, me afatet që shtyhen javë pas jave, La Republiça shkruan se ka një radhë të gjatë të policëve që kanë shprehur interes për të shërbyer në vendin tonë.
Policët, karabinierët, dhe oficerët e tjerë të agjencive italiane po mbajnë radhë për të fituar një vend pune për në Shqipëri. Deri tani raportohet se janë me mijëra kërkesat për të bërë të paktën një tur.
Për shërbimet e tyre, ata do të fitojnë 100 euro në ditë neto, si dhe fjetje dhe ushqim falas. Për momentin struktura është bosh, por edhe në rast se dikush prej azilkërkuesve do të përfundojë në burgun e vogël të ndërtuar për ço rast, raporti është 3 roje për 1 të burgosur. Për krahasim, në burgjet italiane raporti është i kundërti, 1 roje për 3 të burgosur.
Sipas marrëveshjes së lidhur mes Ramës dhe Melonit, në vendin tonë parashikohej të dërgoheshin deri në 36 mijë azilkërkues në vit. BE nuk e ka kundërshtuar marrëveshjen, megjithatë organizma të ndryshme janë shprehur se do të ndjekin me vëmendje zbatimin e saj, nëse cënon apo jo të drejtat e njeriut.
Kampi i azilkërkuesve në Shëngjin, i përfunduar tashmë, do të jetë pika e parë ku do të mbërrijnë emigrantët, ndërsa qendra tjetër do të ngrihet në ish-bazën ajrore të Gjadrit. Këto qendra do të përdoren për përpunimin e kërkesave për azil, me mundësi për kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës. Marrëveshja me Shqipërinë, e nënshkruar vitin e kaluar, parashikon pritjen e deri në 3 mijë emigrantëve për një periudhë 5-vjeçare./ ZËRI