ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka lënë në masën e sigurisë "detyrim paraqitje" një efektiv policie, i cili tentoi të fshinte provat për vëllain e tij Edison Pemaj. Ky i fundit, gjithashtu efektiv i Policisë së Shtetit, është arrestuar për fajde dhe kanosje. Vëllai i Pemajt akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. AMP bën me dije se efektivi dhe një person tjetër kanë tentuar që të fshehin provat materiale me qëllim lehtësimin e pozitës së të arrestuarit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
- Inspektor E. P., me detyrë Trupë Shërbimi / Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë.
- Shtetasi E. D., banues në Tiranë
Në vijimësi të hetimeve të thëlluara në kuadër të operacionit “Last rent”, ka dyshime se punonjësi i policisë në bashkëpunim me shtetasin e sipërpërmendur, kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin me datë 05.07.2025 të punonjësit të policisë E. P., (vëllai i punonjësit E. P.) i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Pema u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë) pasi dyshohet se ka dhënë para me fajde dhe ka kryer kanosje me dhunë. Për këtë arsye, po hetohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në kuadër të një skeme fajdesh. Konkretisht Pema i kishte dhënë hua 7 mijë euro një personi dhe i merrte kamatë çdo javë 2 mijë euro. Në total borxhi kishte arritur vlerën mbi 100 mijë euro interesa. Përveç interesit mujor të jashtëligjshëm, Pema kishte marrë peng 5 automjete në pronësi të viktimës, duke ushtruar mbi të kanosje dhe presion të vazhdueshëm për të siguruar kthimin e shumës me përfitime të larta./ZËRI


