TIRANË- Gjykata e Lartë ka ndryshuar relatorin e çështjes që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Gjyqtari Ilir Panda ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes, ndërsa në vend të tij është caktuar gjyqtari Sandër Simoni. Sipas burimeve, Panda ka dhënë dorëheqjen pasi rezulton në konflikt interesi për shkak se ka lidhje familjare me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxën.
Pas këtij ndryshimi, pritet që në ditët në vijim të përcaktohen edhe dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, e cila do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt në Gjykatën e Lartë.
Në Gjykatën e Lartë do të rishqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës kundër masës së sigurisë “arrest në burg”, me të cilën ai kërkon lirimin e menjëhershëm, si edhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të paraqitura në rekurs. Në vendimmarrjen e saj, Gjykata e Lartë pritet të vlerësojë nëse masa e sigurisë “arrest në burg” është proporcionale.
Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga qelia të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë. Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3 në favor të kërkuesit, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në instancën më të lartë gjyqësore.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
