TIRANË- Alket Rizai vijon të jetë në arrati që prej muajit shtator, ndërsa hetimet vijojnë dhe detaje të reja dalin në dritë. Megjithëse ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij, autoritetet po mbledhin dëshmi që mund të shërbejnë për të çuar në gjurmën e Rizait.
Sipas mediave greke dyshimet janë se ai mund të jetë arratisur drejt Shqipërisë osë Kosovës. Ndërkohë, një dëshmitar ka deklaruar se gjatë arratisjes Rizai dyshohet se përdori një sinjalizues policie dhe një altoparlant, me qëllim shmangien e kontrolleve të mundshme gjatë lëvizjes.
Po sipas kësaj dëshmie, një shofer që po ngiste në rrugët ku u gjet Rizai pas incidentit në Anavyssos ku ndodhën të shtënat me armë, kishte një sinjalizues të ngjashëm me atë të makinave të policisë greke dhe përdorte gjithashtu një altoparlant për t’u komunikuar drejtuesve të tjerë.
Që prej 14 shtatorit, në Greqi ka nisur një megaoperacion për kapjen e Alket Rizait, i cili nuk u kthye në burg pas lejes që kishte marrë, gjatë së cilës dyshohet se u përfshi në një shkëmbim zjarri ku u plagosën dy persona. Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës Athens–Sounio, në orën 05:00 të mëngjesit të 14 shtatorit, mes dy grupeve dhe ka përfunduar me dy persona të plagosur. Alket Rizai ishte pjesë e njërit prej grupeve të konfliktuar. Pas raportimit për të shtëna, policia mbërriti në vendngjarje, por nuk gjeti akënd përveçse dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Rizai, dyshohet se ka qëlluar me armë, pas një debati verbal me pronarin e biznesit, pas kërkesës nga ky i fundit për të ulur volumin e muzikës. Konflikti la pas dy të plagosur, ndërsa "famëkeqi", Alket Rizai, u shpall zyrtarisht në kërkim. Rizai është një personazh i njohur për autoritetet greke dhe për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet. Ai është arratisur dy herë me helikopter, në vitet 2006 dhe 2009 dhe është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm. Që prej janarit 2021, Alket Rizai kishte përfituar 16 leje daljeje nga burgu dhe ishte rikthyer pas secilës prej tyre, por në lejen e 17-të ai nuk u kthye më në qeli./ZËRI