KORÇË- Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar një situatë shqetësuese në Spitalin e Korçës, që prek drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve. Sipas raportit, bëhet fjalë për kushte të rënda higjienosanitare. Në kuzhinën dhe ambientet ku përgatitet ushqimi janë jashtë standardeve ligjore, ndërsa frigoriferët nuk kanë matës temperature, duke rritur rrezikun për kontaminim.
Por, situata bëhet më e rëndë për fëmijët, nga 1 muaj deri në 3-vjeç, të cilët nuk marrin një menu pediatrike dhe ushqehen si të rriturit. Qumështi, perimet dhe mishi, të cilat janë të paguara nga shteti, shpesh nuk arrijnë tek pacientët. Raporti i KLSH ngre dyshime edhe për vjedhje të ushqimit të përgatitur për pacientët.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah problematika serioze-lista e gjetjeve në Spitalin e Korçës:
1. Mungesa e procedurave dhe përgjegjësive – Nuk ka dokumentim të qartë për detyrat e punonjësve dhe kontrollet për respektimin e higjienës dhe Standardeve për Akreditim Spitalor.
2. Pa menu pediatrike – Fëmijët nuk marrin dieta të përshtatura për grupmoshat e tyre (grupmoshat 1-4 muaj, 6-8 muaj, 8-12 muaj dhe 1-3 vjeç).
3. Mungesa e ekspertizës profesionale – Nuk përfshihet mjeku ose infermieri dietolog në hartimin dhe monitorimin e menusë ditore.
4. Sistemi i dobët i gjurmueshmërisë – Artikujt ushqimorë nuk regjistrohen me të dhënat identifikuese; disa produkte, si vezët, përdoren jashtë afateve të lejueshme.
5. Frigoriferë jo të pajisur dhe të amortizuar – Rritet rreziku i kontaminimit mikrobiologjik, sidomos tek mishi dhe bulmet.
6. Parregullsi në kontrata dhe furnizime – Marrja në dorëzim e artikujve nuk dokumentohet plotësisht; kontratat ndryshohen jashtë procedurave ligjore.
7. Mungesa e donacioneve të miratuara – Artikuj ushqimorë të dhuruar pranohet pa miratim të detajuar.
8. Mungesa e përputhshmërisë sasiore – Shumë artikuj të detyrueshëm për dieta specifike nuk përfshihen në mënyrë të qëndrueshme.
9. Menu e njëjtë për të gjithë pacientët – Periudha e gjatë (rreth 8 muaj) ku darka për pacientët ishte vetëm “kos”, pa
Mbi hartimin dhe përgatitjen e menuve sipas dietave përkatëse
Në Spitalin Rajonal Korçë, menuja hartohet dhe përgatitet çdo ditë nga kryekuzhinieri, bazuar në forcat ditore të përcaktuara nga pavionet përkatëse në forcën ditore. Nga verifikimi u konstatua se në organikën dhe strukturën organizative të Spitalit Rajonal Korçë, të miratuar nëpërmjet Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 163, datë 17.03.2023, nuk është parashikuar pozicioni i punës “Mjek dietolog”. Thënë këtë, pavarësisht përcaktimit të menuve orientuese nëpërmjet Urdhrit të Zëvendësministrit, menutë ditore hartohen dhe përgatiten nga kryekuzhinieri, bazuar në fletët e forcës të paraqitura nga Kryeinfermieri dhe Mjeku i pavionit përkatës. Menutë e hartuara në asnjë rast nuk kalojnë në proces konfirmimi apo miratimi nga hallka të tjera nga stafi teknik (mjek/ kryeinfermier) i pavioneve respektive, për të garantuar se menutë e hartuara janë në përputhje me dietën ushqimore të përcaktuar për rehabilitimin e pacientëve të shtruar.
Grupi i auditimit ka kërkuar vënien në dispozicion të menuve të hartuara nga kuzhina e Spitalit Rajonal Korçë, për ofrimin e ushqimit për pacientët e shtruar për vitin 2024 dhe 2025.
Nga auditimi u konstatua se, në çdo ditë, që nga data 20.08.2024 deri në datën 05.06.2025 (data që mbyllet blloku i fundit i mbyllur dhe i vënë në dispozicion), pavarësisht se janë paraqitur forcat ditore sipas dietave përkatëse (për të rritur e për fëmijë), është dokumentuar hartimi i vetëm një menuje (me tre vakte), të njëjtë për çdo dietë, pa diferencuar dhe pa ndarë dietat përkatëse, sipas artikujve, kalorazhit dhe makronutrientëve të përcaktuar në Udhëzimin e MSHMS nr. 72, datë 07.02.2024. Bazuar në të njëjtin dokument, konstatohet se, nga data 20.08.2024 deri në datën 18.10.2024, darka ka qenë përgjithësisht “kos + sultjash”, ndërkohë që nga data 18.10.2024 deri në 05.06.2025, pra për rreth 8 muaj, darka për të gjithë forcën ditore (pacientët e shtruar të secilës dietë) ka qenë vetëm “kos”.
Grupi i auditimit ka kryer testime të përputhshmërisë, duke krahasuar daljet e artikujve ushqimorë nga magazina, me sasitë që duhet të ishin përdorur sipas forcave ditore. Auditimi u krye me përzgjedhje për muajt tetor 2024, dhjetor 2024, shkurt 2025, prill 2025 dhe qershor 2025, të kampionuar për shkak të numrit më të lartë të pacientëve të shtruar (tabelat më poshtë tetor 2024-qershor 2025):
Më poshtë dokumenti i plotë./ZËRI