Aktualitet

Akuza për vrasjen e Behajdin Allaçit, avokati i Thaçit: Bazohet në prova të dobëta! I përgjigjet edhe Marta Kos-it: S'të takon ty të...

Sipas vendimit të 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij.

zh.ll
Akuza për vrasjen e Behajdin Allaçit, avokati i Thaçit:
Behajdin Allaqi dhe Hashim Thaçi-avokati luka misetic

TIRANË- Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në arsyetimin e aktgjykimit, trupi gjykues solli edhe rastin e Behajdin Allaçit. Sipas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator, trupi gjykues konstatoi se Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaçit.

"Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit, dhe kishte dijeni për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë", thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Ndërkohë, përmes një postimi në "X", Luka Misetiç avokati amerikano-kroat i Hashim Thacit, i ka mohuar këto pretendime duke thë se mbështeten në 'prova tronditësisht të dobëta'.

“Pretendimi se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaçit bazohet në prova tronditësisht të dobëta, prova të cilat gjyqtarët e trupit gjykues kanë urdhëruar që të mos i nënshtrohen kurrë shqyrtimit publik. Kjo është edhe një tjetër mohim i të drejtave thelbësore të njeriut të z. Thaçi, i cili është vënë në dyshim nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Avokatisë së Anglisë dhe Uellsit në veçanti mungesa e transparencës së kësaj gjykate dhe e drejta për një gjykim publik”, shkruan Misetiç.

Sipas Trupit Gjykues, në vitin 1993 Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën lidhur me Shaban Shalën, i cili dyshohej prej tyre si spiun i Serbisë. Gjykata tha gjithashtu se, para zhdukjes, Behajdin Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe se Thaçi e Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc. 

Sipas versionit të pranuar nga Trupi Gjykues, më 11 qershor 1998 ose rreth kësaj date, Allaqi u largua nga shtëpia dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Gjykata konstatoi se Thaçi dhe Veseli mbërritën më pas dhe e morën Allaqin në pranga. Ai nuk u pa më dhe Trupi Gjykues tha se ishte bindur se Allaqi ishte vrarë.

Por ky version, bie ndesh me deklaratën e Nazmije Allaqi, e cila në nëntor të viti 2000, raportoi se bashkëshorti i saj ishte i zhdukur që prej 11 qershorit 1998. Në pjesën “Background of Case”, dokumenti thotë se Nazmije Allaqi kishte raportuar se bashkëshorti i saj ishte marrë nga policia serbe në fshatin Drenoc dhe se prej asaj kohe ajo nuk e kishte parë dhe nuk kishte dëgjuar më prej tij.

Mishetiç ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deklaroi se Dhomat e Specializuara janë “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”.

"Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë", shkruante Kos në reagimin e saj pas vendimit të 16 shtatorit.

Këtë deklaratë, Mishetiç, e kundërshton duke thënë se paanshmëria e saj në rastin e Thaçit ende nuk është përcaktuar, ndërsa thekson se nuk i takon komisioneres europiane që ta përcaktojë këtë çështje.

“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiç./ZËRI

Poll

MOS HUMB