Aktualitet

DETAJE/ Aksidentuan për vdekje 7-vjeçarin në Tiranë dhe u arratisën, arrestohen 2 shoferë, një burrë dhe një grua (EMRAT)

Uniformat blu kanë identifikuar dhe kanë arrestuar shoferët e dy makinave të përfshira në aksident.

zh.ll
DETAJE/ Aksidentuan për vdekje 7-vjeçarin në Tiranë dhe u
PAMJE NGA VENDNGJARJA

TIRANË- Policia e Tiranës ka zbardhur një ngjarje të rëndë që ndodhi mesditën e djeshme, ku një 7-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti në kryeqytet. Uniformat blu kanë identifikuar dhe kanë arrestuar shoferët e dy makinave të përfshira në aksident.

Në prangat e Policisë kanë rënë 55-vjeçari Kostandin Shukulli dhe 42-vjeçarja Valentina Selman Koltraku. Shukulli dyshohet se ka qenë i pari që e ka përplasur të miturin me automjetin e tij dhe më pas ka qenë Valentina Koltraku e cila i ka dhënë goditjen e dytë.

Sipas policisë, të dy drejtuesit e makinave janë larguar nga vendi i aksidentit. Më vonë, ka qenë 55-vjeçari që është kthyer dhe e ka transportuar të miturin në spital, por ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit. Pavarësisht ndihmës së dhënë, i mituri ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.

Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.

Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.

Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.

Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB