TIRANË- Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, që akuzohen nga SPAK për vrasjen e biznesmenit, Çajup Selimi ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen në Gjykatën e Posaçme. Abedini pranoi se kishte pasur konflikte me të ndjerin, duke pretenduar se Çajup Selimi i bënte telefonata anonime gruas së tij, në çdo orë të ditës dhe të natës. Sipas tij, për këtë çështje kishin bërë një padi në gjykatë dhe kishin arritur një marrëveshje që konflikti të ndalej.
Ahmet Abedini tregoi se në ditën e ngjarjes ai ishte në punë dhe më pas kishte shkuar në Gjirokastër për të shtruar nënën në spital. Konfliktet me Çajupin lidheshin kryesisht me telefonatat e përsëritura që ky i fundit i bënte nuses së tij dhe disa grindjes fizike mes djalit të Ahmetit dhe Çajupit.
Dëshmia:
Atë ditë kam qenë në punë, pasdite kam ikur në Gjirokastër, kisha shtruar nënën në spital. Me të ndjerin kishim të njëjtin aktivitet tregtar, shisnim materiale ndërtimi. Unë kam dy dyqane. Një punoj unë, një e punonte gruaja.
Kam pasur konflikte me Çajupin se i bënte telefonata nuses time, anonime, në çdo orë të ditës apo të natës. Kemi pasur konflikte edhe me fjalë edhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit, pa pushim, kisha dy vjet që e kisha marrë. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtuam edhe në gjykatë, për këtë punë. I kishte bërë nusja padi. Kishte 5-6 muaj që kishin bërë marrëveshje me policinë që nuk do kishin konflikte. Ishim të bindur se i bënte ai telefonatat. “Dua t’i bëj telefonatat”, thoshte ai. Bashkëshortes i binte telefoni, në çdo orë të ditës. Ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. E ngacmonte bashkëshorten. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej. Bujari, vëllai banon në fshat.
Vëllai nuk ka qenë në dijeni të telefonatave që i bënte bashkëshortes. Asnjë nga vëllezërit nuk e dinte. Nga ora 12.00 i natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë ata hajde, i pyeta ata unë 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. I thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital. Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por e shoqëroja unë në spital se ai kishte bagëti, ishte çoban. Erisjano ishte në Tiranë, erdhi pas nja 3-4 ditësh. Atë natë e kërkoi policia, por pastaj folën me telefonin e nuses që Erisjano ishte në Tiranë. Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici.
Çajup Selimi u vra në qershor të 2021 në Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë në banesën e biznesmenit. Fillimisht pretendohej se Selimi është thirrur nga një person i pa identifikuar për të dalë poshtë shtëpisë së tij dhe në momentin që doli nga banesa, ku u prit nga një person në katin e dytë, i cili ka qëlluar dy herë me pistoletë në drejtim të tij. Por, i penduari i drejtësisë Artan Tafani, ka zbuluar dinamikën e vërtetë të vrasjes së biznesmenit "të miellit", ashtu siç 51-vjeçari njihej gjërësisht në Sarandë./ZËRI