TIRANË-Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim drejtorin e Mjedisit në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Klesti Çela pas sherrit që ndodhi një ditë më parë brenda ambienteve të këtij institucioni. Raportohet se Drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta është goditur nga Çela dhe tre persona që e shoqëronin.
Meta u dhunua me qytë pistolete nga drejtori i mjedisit të IKMT dhe dhe tre personat e tjerë ende të pa identifikuar, brenda ambienteve të institucionit. Përplasja ka ndodhur pas një debati të mëparshëm mbi një grup inspektimi për çështjen e dherave. Klesti Çela pretendonte se Meta i ka ndërhyrë në punë në lidhje një grup inspektimi.
Pas sherrit brenda ambjenteve të institucionit, Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula vendosi pezullimin nga detyra të dy drejtorëve të Inspektoratit Kombëtarë të Mbrojtjes së Territorit, Klesti Çela dhe Fatmir Meta.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6: shpallën në kërkim shtetasin K. Ç., pasi dyshohet se dje, së bashku me 3 shtetas ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin F. M., drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve të IKMT-së, në ambientet e këtij institucioni. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”,-thuhet në njoftimin e Policisë./ZËRI
