TIRANË- Në një takim takim jozyrtar që kryeprokurori Altin Dumani ka zhvilluar me gazetarët pak ditë më parë, ka folur dhe për nxjerrjen e sekreteve hetimore, apo lajmet e pavërteta që janë bërë me qëllim intimidimin e prokurorëve, duke bërë fajtor për këtë një pjesë të gazetarëve, që sipas tij janë evidentuar nga stafi.
“E ndan një vijë shumë e hollë transparencën me ruajtjen e sekretit hetimor. Natyra e hetimeve që ne kryejmë, nevoja e publikut për tu informuar është shumë e madhe, sekreti i hetimit dhe të drejtat e palëve në proces duhen ruajtur. Ne jemi përpjekur që ta gjejmë këtë ekuilibër”, është shprehur Dumani, cituar nga Ora News, ndërsa më tej ka vijuar me deklaratën që është komentuar gjerësisht edhe në rrjetet sociale.
“Ka gazetarë të papërgjegjshëm që për disa klikime më shumë publikojne lajme të rreme ose një pjesë të të vërtetës. Dëmtojnë reputacionin e SPAK. Kanë ardhur kërcënime në drejtim të prokurorëve dhe institucionit. Është dhe dëmtimi që i bëhet nga media e papërgjegjshme. Stafi im ka evidentuar që gazetar të caktuar bullizojnë apo kërcënojnë prokurorë të prokurorisë së posaçme”, ka vijuar deklaratën e tij Dumani, e cila ka shkaktuar një sërë reagimesh në rrjetet sociale. Për Ylli Manjanin, nëse deklarata e Dumanit, që në disa portale është interpretuar si gazetarë që futen në listën e zezë të SPAK, do të ishte e vërtetë, ajo do të përbënte një situatë dhune skandaloze, në drejtim të punës së medias. Sipas Manjanit, SPAK ka ndërhyrë më shumë se njëherë në punën e medias, duke përmendur kështu kontrollet në redaksinë e LAPSI.AL apo hetimet ndaj Elton Qynos dhe Artam Hoxhës.
“Në qoftë e vërtetë se Altin Dumani ka thënë se "po mbikqyrim kritikët publikë të tij dhe të SPAK", atëhere jemi përpara në situate dhune skandaloze të lirive dhe të drejtave kushtetuese. Kështu të paktën raportojnë disa media online.
Në fakt, SPAK i drejtuar nga zoti Dumani ka ndërhyrë më shumë sesa herë të tjera ndaj medias. Ju kujtij rastet: LAPSi.AL, Elton Qyno dhe Artan Hoxha.
SPAK nuk ka asnjë mandat të mbikqyrë ata që kritikojnë!!! Aq më pak të nisë proçedime të stisura e të motivuara nga inati për kritikën. Gjithnjë, nëse kjo është e vërtetë, situata është alarmante!!! Ky është është fundi i sistemit demokratik të drejtësisë dhe, shndërrim i saj në polici sekrete, e cila përdor ligjin dhe ndjekjen penale kundër kujtdo që rrefuzon të gëlltisë propagandë dhe të pranojë si normalitet hetimin e gjykimin penal për arsye (mos)bindje.
Ky nuk është më dështim, por shkatërrim total i drejtësisë, i cdo principi të shtetit demokratik.
Tani, pavarësisht se çmund të ketë thënë zoti Dumani për kritikët në atë takim të mbyllur, fakt është se:
1.SPAK rregjistron procedime penale pa fakte e ngjarje penale të konstatuara;
2. mbledh të dhëna për persona, pa i marrë persona nën hetim;
3. kriminalizon njerëz me narrativa publike të stisura e të shpifura;
4. bën transparencë me takime të mbyllura;
5. fjalën/përgjimin/deklaratën publike e quan provë;
6. shet në publik arrestime për të nxitur talebaniznim social.
Këto fakte dalin nga sjellja zyrtare e SPAk dhe nuk janë pjellë e kritikëve. Aq të vërteta janë këto fakte sa edhe gjykata e Strasburg ka përdorur proçedurë emergjence, e cila përdoret shumë rrallë për shtete autoritare, për të ndaluar sulmin brutal ndaj serverave të LAPSI.AL. Në çështjen Thoma Gëllçi kundër Shqipërisë, u godit në themel sjellja e harbute e SPAK, kundër proçesit të rregullt ligjor.
Hapini sytë o njerëz se faktet ulërasin! Dhe këto fakte nuk po i stis kritika.
Nëse këto devijime të rënda nga roli kushtetues e ligjor i SPAK shiten si normalitet, personalisht rrefuzoj ta pranoj!
Kam qenë, jam dhe do jem rrefuzues për këto gjëra sa të kem frymë e zë.
Dhe nuk ngushëllohem aspak me faktin se ata që sjanë dakord me mua më japin të drejtë me vonesë...
Jam në krah të çdo kritike që sjell në vemendjen publike një realitet që fshihet pas ndezjes së qëllimshme të turmave, kundër lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”, shkruan Manjani në postimin e tij.
Dhe si për të mbështetur komentin e ish-ministrit të drejtësisë, Artan Hoxha pretendon se SPAK ka një listë me gazetarë që sipas Dumanit, njollosin punën e prokurorisë.
“Mos ki dyshime që punohet me listë konkrete ndaj gazetarëve apo zërave publik, të cilët janë kritikë, publikojnë të vërteta, të cilat i prishin Spakut perceptimin e mirë publik, që kanë skepticizëm për punën e SPAK apo statistikat me përqindje të institucionit.
Duhet “besim dhe vetëm besim” te mrekullia e reformës për të cilën Rama rreh gjoksin. Por si çdo listë edhe kjo listë ka hierarki dhe top-renditje. Thjesht uro të mos jesh nga kreu i listës, se mbase kur të vjen radha në mos ke ndryshuar ti, do kenë ndryshuar kriteret për tu shpallur armik….”, shkruan Hoxha në komentin e tij./ZËRI