
TIRANË– Kjo e diel e 2 gushtit, shënojë ditën e 64-të të protestës qytetare, e cila zhvillohet rregullisht që prej 31 majit. Qytetarët janë mbledhur pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke përshkuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta ka bërë bashkë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit u mblodhën përpara Kryeministrisë, ku do të mbajnë edhe fjalimet e tyre, si në mbrëmjet e mëparshme.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI