Aktualitet

'Jet Ski' në duart e një 12-vjeçari në Dhërmi, Policia bllokon mjetin dhe gjobit pronarin (VIDEO)

Pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, rezultoi se mjeti i ishte dhënë për përdorim të miturit nga pronari, ndërsa gjatë kontrollit u konstatua edhe mungesa e dokumentacionit të nevojshëm në bord.

M.K.
'Jet Ski' në duart e një 12-vjeçari në
Foto nga vendngjarja

DHËRMI- Një rast i përdorimit të një mjeti lundrues në kundërshtim me rregullat e sigurisë është konstatuar në plazhin e Dhërmiut, ku një 12-vjeçar është kapur duke drejtuar një Jet Ski.

Pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, rezultoi se mjeti i ishte dhënë për përdorim të miturit nga pronari, ndërsa gjatë kontrollit u konstatua edhe mungesa e dokumentacionit të nevojshëm në bord.

Për shkeljet e evidentuara, pronari i mjetit, me iniciale M. Xh., është ndëshkuar me gjobë prej 10 mijë lekësh të rinj, ndërsa Jet Ski është bllokuar nga autoritetet.

Policia bën me dije se kontrollet në zonat bregdetare do të vijojnë për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe parandalimin e përdorimit të mjeteve lundruese jashtë kushteve të përcaktuara nga ligji.

Njoftimi i Policisë:

Dhërmi-I kishte dhënë një 12-vjeçari mjetin lundrues Jet Ski, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndëshkojnë me 10 000 lekë të rinj pronarin e mjetit.

Bllokohet edhe mjeti lundrues.

Në vijim të kontrolleve intensive për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, përballë plazhit të Dhërmiut, konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski, në drejtimin e të cilit ndodhej një shtetas 12-vjeçar.

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndaluan mjetin lundrues dhe, gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtuesi ishte 12 vjeç, ndërsa mjeti nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.

Për këto shkelje, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. Xh., u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.

Policia Kufitare apelon për qytetarët dhe subjektet që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë në asnjë rast këto mjete të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre. Drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.

Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB