
TIRANË- Rreth 300 shezlongë u zhdukën brenda natës dy vjet më parë nga plazhi në Reggio Emilia, ndëras tani janë shfaqur krej papritur në plazhin e Kepit të Rodonit, në Shqipëri.
Sipas mediave italiane, shezlongët i përkisnin klubit të plazhit “Onde Chiare” dhe ishin vjedhur në qershor të vitit 2024,
U pikasën nga turistja italiane
Sipas mediave italiane, një grua nga Reggio Emilia, e cila ndodhej atje me pushime, i vuri re shezlongët dhe u dërgoi menaxherëve të resortit një email me foto të bashkëngjitura, për t’i njoftuar për këtë gjetje të pazakontë, pasi ishte në dijeni të ngjarjes së dy viteve më parë.
Menaxherët e “Onde Chiare”, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, kanë nisur procedurat ligjore për rikthimin e pajisjeve, duke angazhuar avokatë në Itali dhe Shqipëri.
Sipas tyre, pas nisjes së procedurave, shezlongët duhej të ishin sekuestruar nga autoritetet shqiptare dhe të vendoseshin në ruajtje. Megjithatë, një video e publikuar së fundmi nga resorti italian tregon se ato vijojnë të përdoren nga pushuesit në një strukturë plazhi në Kepin e Rodonit.
“Menduam të shkonim atje dhe t’i merrnim vetë, por më pas vendosëm të ndiqnim rrugën ligjore. Avokati ynë gjeti edhe një avokat në Shqipëri, i cili nisi procesin gjyqësor. Në teori, shezlongët tanë duhej të ishin sekuestruar dhe të vendoseshin në ruajtje nga autoritetet shqiptare. Por ndërkohë, një kliente tjetër e jona, e cila rastësisht ndodhej këto ditë në Durrës, na dërgoi një video të re, atë që më pas e publikuam në profilin tonë në Instagram, ku shihet qartë se ata janë ende në plazh, duke u përdorur nga klientët e kësaj strukture shqiptare. Jemi shumë të zemëruar”, thotë Costoli.
Çështja bëhet publike
Për shkak të mungesës së një zgjidhjeje, menaxherët kanë vendosur ta bëjnë çështjen publike, duke kërkuar ndihmë edhe përmes mediave italiane. Madje, ata shprehen se kanë dashur të etiketojnë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Kemi etiketuar mediat lokale, i kemi dërguar një email redaksisë së programit ‘Le Iene’ të Italia Uno, i njohur për hetimet e tij mbi çështje të ndjeshme. Gjithashtu desha të etiketoja edhe Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, sepse shpesh bën deklarata për zhvillimin e turizmit në vendin e tij. E pra, vjedhja e shezlongëve në Itali nuk është aspak një kartëvizitë e mirë për turistët dhe për reputacionin kombëtar të Shqipërisë. Ne punojmë prej vitesh me disa furnitorë shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Shpresojmë që kryeministri shqiptar të interesohet për rastin tonë, sepse tashmë nuk dimë më se cilën rrugë të ndjekim”, thonë menaxherët.
Postimi i Onde Chiare:
“Përshëndetje të gjithëve, nëse dikush shkon me pushime në Kepin e Rodonit… të përshëndesë shezlongët tanë! Duket si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë.”
“Në qershorin e vitit 2024 na vodhën rreth 300 shezlongë, me një vlerë mbi 45.000 euro, nga Circolo Onde Chiare i Reggio Emilia-s”, shkruhet në postim. “Një vit më vonë, një e njohura jonë, gjatë pushimeve në Shqipëri, na dërgoi disa foto: ‘… por këta nuk janë tuajit?’
Dhe që nga ai moment fillon një histori pothuajse surreale. Denoncime, avokatë në Itali dhe Shqipëri, përkthime, verifikime, kohë dhe para të shpenzuara për të provuar të kthejmë atë që na është vjedhur.
Sot kjo video, e filmuar pak ditë më parë, tregon se ata shezlongë janë ende në të njëjtën strukturë plazhi. Ne thjesht duam të kuptojmë se si është e mundur që një vjedhje prej 45.000 eurosh, me sendet e identifikuara dhe të dokumentuara prej më shumë se një viti, ende nuk ka gjetur një zgjidhje.
Ndoshta kjo video do të arrijë te personi i duhur. Nëse njihni dikë që mund të na ndihmojë, një gazetar, një emision televiziv, ose thjesht mendoni se kjo histori meriton të rrëfehet… shpërndajeni”, shprehet më tej.
Ndërkohë, postimi në rrjetet sociale ka marrë vërtet shumë vëmendje, duke arritur dhjetëra shpërndarje dhe disa qindra pëlqime.
“Shpresojmë që pak zhurmë dhe presion mediatik të ndihmojnë për ta çuar çështjen përpara”, përfundon Costoli”, mendoni për shqetësimin që na shkaktoi kjo vjedhje dy vite më parë, pikërisht në fillim të sezonit veror.”
Shezlongët u vodhën qershorin e vitit 2024 brenda vetëm 30 minutash, duke i shkaktuar resortit një dëm prej mbi 45 mijë eurosh./ZËRI