TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilanicin lidhur me zjarret në vend. Në njoftim, ministria informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Aktualisht vartat e zjarrit në Dajt, Krujë, Gurë-Lurë të Dibrës, Bulqizë, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër janë izoluar dhe nuk ka rrezik që flakët të përhapen drejt zonave të banuara. Ndërsa vatrat e regjistruara në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, janë shuar plotësisht.
Në terren gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 533 forca operacionale, 39 automjete zjarrfikëse, 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Ministria informon aktualisht në terren mbeten të angazhuara 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBORJTJES:
Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt, Tiranë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Në Krujë, vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet e forcave nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe fikjen e plotë të zjarrit, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet kryesore. Hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Sot operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të FA-së. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit. Ndërkohë, një zhvillim pozitiv është regjistruar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat janë shuar plotësisht, si rezultat i punës së forcave operacionale.
AKMC vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të vatrave aktive./ZËRI