KINË- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbarkoi në Shenzhen të Kinës të mërkurën për samitin e APEC-ut dhe u përqafua nga Presidenti kinez Xi Jinping pas mbërritjes. Trump shtrëngoi duart gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga samiti i Alaskës në vitin 2025.
Pamjet e Xi Jinping, Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit së bashku në Shenzhen kanë tërhequr vëmendjen një ditë përpara bisedimeve trepalëshe. Tre liderët u fotografuan në kuadër të samitit të APEC-ut, ku janë mbledhur disa prej figurave më me ndikim të skenës ndërkombëtare.
Sot, tre liderët pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët, i pari i këtij formati mes drejtuesve të SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë luftërat në Ukrainë dhe Iran, përhapja e armëve bërthamore, tensionet tregtare dhe zhvillimet në inteligjencën artificiale. Takimi përbën gjithashtu një mundësi për presidentin kinez Xi Jinping që të shfaqë ndikimin e vendit të tij në skenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, më herët, Trump ka zhvilluar takim 'kokë më kokë' me Putin dhe Xi Jinping. Dy takime dypalëshe që i paraprinë samitit trepalësh në Shenzhen.
Sipas raportimeve, në takimin që zgjati për rreth një orë me Xi Jinping, Trump vlerësoi "marrëdhënien e tij të shkëlqyer me Xi" duke thënë se u shërben "shumë mirë" njerëzve në të dy vendet e tyre.
Ndërsa, gjatë takimit mes Trump dhe Putinit u vu re kufizimi i rreptë i pranisë së mediave, ku brenda sallës u lejua vetëm një kamerë televizive, ndërsa dy presidentët shoqëroheshin nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Sa i përket takimit, sipas raportimeve, Putin u largua nga takimi “me humor shumë të mirë”./ZËRI