TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 727 forca operacionale në jug të vendit për shuarjen e 20 vatrave të zjarrit.
Ministri shprehet se terren janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Në reagimin e tij, Nufi ka falënderuar të gjitha forcat që morën pjesë në këtë operacion të vështirë.



“727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit. Në mbështetje të strukturave vendore, u angazhuan posaçërisht 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Si Ministër i Mbrojtjes, e kam të pamundur të mos përcjell respektin e pakufishëm për secilin prej tyre, si dhe për të gjithë efektivët e angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve. Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t’i qëndrojnë larg. Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore.
Shqipëria krenohet me ju! Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës!”, shkruan Nufi.
Ditën e djeshme, vatrat e zjarrit përfshinë jugun e vendit, ku situata më kritike ishte në Finiq dhe Mallakastër. Për shkak të erës së fortë, zjarri u përhap me shpejtësi në disa fshatra, duke rrezikuar edhe banesat, ndërsa dje u kërkua edhe ndihmë nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët. Një tjetër vatër zjarri u regjistrua mëngjesin e sotëm në Rriban të Mallakastrës, ku flakët kanë përfshirë zonën pyjore duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Ndërsa policia njoftoi se një person ka rënë në pranga për zjarrvënie të qëllimshme. Bëhet fjalë për Ardian Xhafo, 54 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit”, pranë fshatit Hekal, Mallakastër./ZËRI