Aktualitet

Alarm ushqimor nga RASFF për supën me perime të ngrira/ AKU për ZËRI-n: 28 njësi u shitën në Tiranë nga PRONATYRA

Në përgjigjen zyrtare drejtuar ZËRI-t, autoriteti bën me dije se nga verifikimet e kryera më 22 dhe 23 qershor 2026, inspektorët konstatuan se kompania kishte importuar gjithsej 28 copë, me peshë totale 21 kilogramë, në dy dyqanet e kompanisë në Rrugën e Dibrës dhe në atë të Kavajës.

Loreta Koleci
Alarm ushqimor nga RASFF për supën me perime të ngrira/ AKU
foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar për ZËRI-n tërheqjen nga tregu të produktit “MINESTRONE 16 VERD. S./B. G750” (supë me perime të ngrira), pas një njoftimi të publikuar në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) se ky produkt përmban prani të një trupi të huaj, të dëmshëm për shëndetin.

ZËRI iu drejtua AKU-së me kërkesë për informacion, pasi rezultoi se ky produkt është importuar në Shqipëri më 14 maj 2026 nga subjekti “PRONATYRA TREG” SHPK dhe është shpërndarë e shitur në dy pika tregtimi në Tiranë.

AKU ka konfirmuar se produkti me lot L03DK dhe afat skadence 30.06.2028 është kontrolluar pas njoftimit të RASFF për praninë e një trupi të huaj në një produkt me perime të ngrira. Në përgjigjen zyrtare drejtuar ZËRI-t, autoriteti bën me dije se nga verifikimet e kryera më 22 dhe 23 qershor 2026, inspektorët konstatuan se kompania kishte importuar gjithsej 28 copë, me peshë totale 21 kilogramë, në dy dyqanet e kompanisë në Rrugën e Dibrës dhe në atë të Kavajës. Sipas AKU-së, në magazinat e subjektit nuk u gjet më asnjë sasi e produktit, pasi e gjithë sasia e importuar ishte shitur te konsumatorët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se në pikat e shitjes është vendosur njoftimi për konsumatorët që kanë blerë këtë produkt, duke u kërkuar ta kthejnë pranë supermarketit. Lidhur me masat e marra ndaj kompanisë “PRONATYRA TREG” SHPK, AKU njofton se është vendosur masa administrative “Paralajmërim”, ndërsa subjekti është detyruar të informojë konsumatorët dhe të raportojë çdo kthim të produktit pranë institucionit të kontrollit ushqimor.

“Për sa më sipër parashtruar, rezulton se në të dy subjektet tregtare “PRONATYRA TREG” SHPK, është importuar produkti i sipërcituar: “MINESTRONE 16 VERD. S./B. G750 (supë e ngrirë), LOT L03DK; datë skadence: 30.06.2028”, importuar më datë 14.05.2026 në sasinë 28 copë x 0.750 kg = 21 kg.

Gjendje: Në subjekt nuk u konstatua gjendje asnjë sasi e produktit MINESTRONE 16 VERD. S./B. G750 (supë e ngrirë), LOT L03DK; datë skadence: 30.06.2028.

Shitja e produktit: Rezulton se produkti është shitur tek konsumatori i fundit në sasinë 28 copë x 0.750 kg = 21 kg.

Lidhur me masat e marra ndaj subjektit, në përputhje dhe në zbatim të nenit 44, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr.99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, për shkeljet e kërkesave ligjore që përbëjnë kundërvajtje administrative, subjekti i inspektimit dënohet me masë “Paralajmërim” në inspektimin e parë, si dhe i lihet për detyrë:

-të njoftojë në mënyrë të vazhdueshme (permanente) konsumatorin për produktin e blerë;

-të njoftojë pranë Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Qarku Tiranë, nëse do të ketë kthime nga ana e konsumatorëve.”- shkruan AKU për ZËRI-n.

Ne iu drejtuam gjithashtu me kërkesë për informacion edhe kompanisë importuese, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë ende një përgjigje.

Siguria ushqimore vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në vend. Kryeministri Edi Rama deklaroi në prill të këtij viti se siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian janë ndër prioritetet kryesore të qeverisë në rrugën e integrimit evropian. /ZËRI

Poll

MOS HUMB