TIRANË-Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj autoriteteve franceze. Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për çështjen e tenderave të AKSHI-t, u arrestua në Francë më 24 korrik. Gjykata franceze i caktoi masën e përkohshme "arrest me burg" me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Biznesmeni u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë me vendim të autoriteteve franceze, ndërsa autoritetet e vendit tonë kanë ndërmarrë hapin e radhës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiraj dyshohet se i ka kryer në territorin francez.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, gjykata kompetente në Francë do të shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga Shqipëria dhe do të vendosë nëse Beqiraj do t'u dorëzohet autoriteteve shqiptare për t'u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK.
Në njoftimin zyrtar për arrestimin e Beqirit, SPAK bëri me dije se hetimet e zhvilluara në Francë zbuluan pasuri të dyshuara me origjinë kriminale, ndërsa kontrollet dhe verifikimet financiare do të vijojnë edhe për identifikimin e aseteve të tjera. Konkretisht bëhet fjalë për një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare, apartamente dhe mjete motorike.
ZËRI ndau pamje nga kështjella 'Château d'Auteuil', një rezidencë e ndërtuar në shekullin XVI, e cila raportohet se ka përfituar gjithashtu fonde nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale franceze për restaurimin dhe zhvillimin e saj si destinacion turistik, ndërsa është përfshirë edhe në guidat e Figaro Magazine si një nga rezidencat historike të rekomanduara për akomodim në Francë.
Sipas të dhënave të regjistrave francezë, rezidenca është shitur më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, një shifër që përputhet me vlerën e përmendur nga SPAK në kërkesën për sekuestrim. Hetuesit shqiptarë dyshojnë se pasuria është blerë me të ardhura që lidhen me aferën e tenderave të AKSHI-t, çështje për të cilën Beqiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë, në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare.
Beqiri është nën masën e sigurisë "arrest në burg", të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale". Ermal Beqiri zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro.


