TIRANË- Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 janarit, ka mbërritur në SPAK ku do të zhvillojë një takim me kryeprokurorin Klodian Braho. Raportohet se në fokus të takimit do të jetë ecuria e hetimeve për krimin shtetëror i 21 janarit, dosje që po hetohet nga SPAK.
Mark Nika: Kemi hyrë në vitin e 16 dhe kjo çështja është në sirtarët e drejtësisë. Duhet të përshpejtohen hetimet, të thirren të gjithë personat në dijeni, policisë, gardës, kryeministrisë etj. Marrim forcë nga gjaku i Aleksit, është krim shumë i rëndë. Do e ndjekim derisa të zbulohet e vërteta. Kemi kërkuar të merret në pyetje punonjësi i serverave të IT dhe nuk është thirrur. Nuk e di përse, por për mua është e gabuar. Ne insistojmë të hetohet. Braho tha që do marrim masat që të zbardhet. E kërkova unë takimin me Brahon sepse nuk na zë vendin. Kjo çështje duhet të ishte përfunduar, është e papranueshme për ne dhe për gjithë ata që duan drejtësi. Autorët do zbulohen, janë të regjistruar në kasetë. Kaseta më duket se ende nuk është dërguar për ekspertim. Isha unë që kërkova takim me zotin Braho sepse nuk na zë vendi.
21 Janar 2011, 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një protestë të socialistëve në opozitë, që kërkonin rrëzimin e qeverisë Berisha pas videoskandalit Meta- Prifti. Protesta doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë.
Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI