Aktualitet

'11 maji'/ Hetimet për krimet zgjedhore, Dumani: Askush s'duhet të ketë frikë sa kohë bën detyrën!

Altin Dumani tha se SPAK do të nisë hetimet sa herë do të ketë raste të dyshuara dhe fakte penale për krime zgjedhore.

k.m.
'11 maji'/ Hetimet për krimet zgjedhore, Dumani: Askush
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, mori pjesë këtë të premte në një takim ku së bashku me kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, prezantuan masat parandaluese për krimet zgjedhore. Pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësues të forcave politike, Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri.

Lidhur me punën që pritet të bëhet para, gjatë dhe pas fushate, Dumani tha se askush që zbaton ligjin dhe Kushtetutën nuk duhet që të ketë frikë nga struturat e posaçme që do të monitorojnë procesin në çdo qark. Ai shtoi se SPAK do të nisë hetimet sa herë do të ketë raste të dyshuara dhe fakte penale për krime zgjedhore.

“Askush nuk duhet të ketë frikë nëse zbaton ligjin dhe Kushtetutën. Ne e kemi detyrim ligjor dhe kushtetues që, sa herë kemi raste që përbëjnë fakt penal, jemi të detyruar të nisim hetime. Kemi bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Përgjithshme edhe për krimet zgjedhore. Kemi rënë dakord për të përcaktuar mënyrën konkrete sesi do të trajtohen rastet që do paraqiten para zyrës sonë apo zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për të evituar edhe konfliktin e kompetencave, për të zgjidhur në kohë reale këto probleme dhe që hetimi të vijojë. Po punojmë për të përmirësuar bashkëpunimin për të koordinuar në lidhje me kompetencat e hetimit të rasteve nga dy prokuroritë. Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka hartuar një strategji, qëllimi i së cilës është të parandalojë dhe hetojë në mënyrë të plotë në transparencë veprat penale gjatë zgjedhjeve për kuvendin 2025. Me miratimin e kësaj strategjie, kemi reflektuar shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare. Hetimi i krimeve zgjedhore është një detyrim ligjor. Hetimi i veprave penale të krimit zgjedhor do të bëhet pa asnjë lloj paragjykimi. Duke vlerësuar mbrojtjen e integritetit të proceseve zgjedhore, kuvendi i Shqipërisë, në rezolutën e tij të vitit 2024 për SPAK ka rekomanduar që ky institucion të ketë një qasje proaktive, duke i kushtuar vëmendje të veçantë hetimit të krimeve zgjedhore,”- tha Dumani.

Dumani tha se krimi zgjedhor duhet goditur në kohë, sepse sipas tij kështu ka efekt më të madh publik. Por po ashtu sqaroi edhe se ku do të përqëndrohen hetimet e SPAK dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, duke sqaruar se në "lupë" do të jetë edhe financimi i partive politike. 

"Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit. Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo. Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësime e organizatave ndërkombëtare, të OJQ por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor,"- deklaroi Dumani.

Si pjesë e tryezës, edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha se task-forca e ngritur nga SPAK për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit, është një nismë e mirëpritur prej tij dhe e ndërkombëtarëve të tjerë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje. Dhe mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione lidhur me nismën e tyre dhe koordinimin. Keqpërdorimi i burimeve administrative është një tjetër çështje e ngritur në raporte të ndryshme, si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta loje,”-tha i dërguari i BE-së në Shqipëri.

SPAK ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. Nga ana tjetër edhe Prokuroria e Përgjithshme miratoi udhëzim për masat administrative dhe procedurale në periudhën para dhe pas zgjedhjeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB