
TIRANË- Një alarm i rremë për bombë ka shkaktuar panik sot në shkollën “Turgut Ozal”, ku menjëherë kanë mbërritur forcat xheniere për të kryer verifikimet. Mesazhi është dërguar rreth orës 11:30 në adresën e sekretares së shkollës, ku pretendohej për praninë e një bombe, e cila do të shpërthente pas 43 minutash. Sektori i krimit kibernetik ka nisur hetimet për të zbuluar burimin e e-mailit kërcënues. Stafi i shkollës dhe nxënësit janë evakuuar.
Kolegji “Turgut Ozal” ka reaguar pas alarmit për bombë dhe njofton se situata është nën kontroll. Në reagimin e saj në Facebook, shkolla njofton se lajmi rezultoi i rremë.
“Ju informojmë se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë! Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare”, shkruhet në mesazhin që iu është dërguar prindërve nga stafi i Kolegit “Turgut Ozal”.
Postimi: Shkolla “Turgut Ozal” njofton të gjithë prindërit, nxënësit dhe dashamirët se situata është nën kontroll, e qetë dhe në bashkëpunim të plotë me policinë e shtetit. Janë marrë të gjitha masat e sigurisë sipas protokollit në raste emergjence, pavarësisht se lajmi rezultoi i rremë. Falënderojmë policinë e shtetit për gadishmërinë dhe profesionalizmin! Falënderojmë të gjithë stafin e shkollës si dhe prinderit tane për korrektësinë dhe bashkëpunimin!
Njoftimi i policisë:
Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve./ZËRI