
TIRANË- Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Xhika qëndroi rreth dy orë në SPAK, ku në dalje deklaroi se arsyeja e thirrjes së tij ka të bëjë me një procedurë të kryer në kohën kur ai ishte në krye të ARRSH-së.
“Gjithmonë për një procedurë të kryer në kohën kur kam qenë drejtor i ARRSH”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse bëhet fjalë për rrugën Tiranë Elbasan, ai u përgjigj shkurtimisht: Jo, për një procedurë që s’kishte lidhje shumë me ARRSH.
Xhika ka qenë i dënuar më parë nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në vitin 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues ARRSH-së u arrestua për korrupsion. Bashkë me të, përfunduan në qeli edhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka. Akuza e ngritur ndaj tij ishte abuzimi me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Pas hetimeve, prokurorët Krimeve të Rënda nuk gjetën prova për të vërtetuar korrupsionin. Si pasojë, në tetor të vitit 2018 ata ia kaluan dosjen prokurorisë së Tiranës për të hetuar për shpërdorim detyre. Dosja e dyshuar e korrupsionit të rrugës Tiranë-Elbasan u mbyll dhe zyrtarët u liruan nga burgu. Dashamir Xhika ishte kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2017./ZËRI