
TIRANË-Seanca e parë gjyqësore për divorcin mes presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi që do të zhvillohej ditën e sotme është shtyrë. Senca u shty pasi as Meta dhe as Kryemadhi nuk u paraqitën në seancë. Meta nuk pritej që të mos paraqitej në gjykatë pasi ai ndodhet në burg prej muajsh tashmë. Seanca e radhës u caktua më 11 prill në orën 10:30. Duke qenë se Meta nuk ishte i pranishëm kishte lënë autorizim avokatin e tij, Genc Gjokutaj.
Si gjyqtare për divorcin e çiftit, përmes shortit është caktuar gjyqtarja Fahrie Budo. Ilir Meta iu drejtua më 20 qershor 2024 gjykatës me një padi për zgjidhjen e martesës mbi 26 vjeçare nga e cila kishin dhe 3 fëmijë. Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj. Ishte vetë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili njoftoi divorcin në një intervistë televizive. Ai theksoi se për planin e tij kishte dijeni vetëm i biri dhe e motra, asnjë familjar tjetër. Në kërkesën për divorc që konfirmon fundin e një martesë 26-vjeçare, Meta deklaroi se politika është ajo që e ndau me Monika Kryemadhin. Ai tha se marrëdhënia e tyre u kris pas vendimit të Kryemadhit për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që iu kërkoi falje fëmijëve për shqetësimin që iu ka krijuar.
“Vitet e fundit kam konstatuar fillimisht mosdakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar fillimisht për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet në aspektin politik, përfaqësues dhe vendimmarrës, por që me kalimin e kohës ato u bënë prezente edhe në raportin tonë bashkëshortor, deri sa kohët e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njeri-tjetrit kanë sjellë si pasojë grindje të herëpashershme, duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore,” thuhet në padi.
Meta u arrestua më 21 tetorit 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhin po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA./ZËRI