Aktualitet

Trafikonin armë në Tiranë, Krujë e Thumanë/ 2 në pranga, 2 në kërkim, gjenden kallashnikovë e fishekë

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Krujë. 

F.I
Trafikonin armë në Tiranë, Krujë e Thumanë/ 2 në
armët e sekuestruara

TIRANË-Një grup kriminal që shiste armë në Tiranë, Fushë Krujë e Thumanë është goditur nga policia. Në kuadër të operacionit “Heliks” janë arrestuar Fatjon Kodra (18 vjeç) dhe Elton Kaci (49 vjeç), ndërsa dy të tjerë, Florjan Aliu (28 vjeç) dhe Enea Zira (28 vjeç), janë shpallur në kërkim. 

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Krujë. Armët do të verifikohen nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Heliks”, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të një procedimi penal për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit.

Goditet një grup që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 pjesëtarë të grupit, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Parandalohet një rast i shitjes së armëve të zjarrit, nga ky grup. Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Krujë.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera me metoda proaktive, në kuadër të një procedimi penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Heliks”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit:

F. K., 18 vjeç dhe E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28 vjeç dhe E. Z., 28 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.

Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB